2017-02-01 14:44:00

Papa Françesku: të shpresosh do të thotë ta presësh ringjalljen si realitet i sigurt


Të jetojmë në pritje të kohës, kur do të jemi përgjithmonë e jetës me Zotin: kjo është shpresa e krishterë, e jo dëshira për diçka të bukur, që mund edhe të mos realizohet. E nënvizoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI. Të gjithë kemi paksa frikë nga vdekja - kujtoi Françesku - por ringjallja është realitet i sigurt, me që rrënjoset në atë të Jezusit. Papa vijoi, kështu, ciklin e katekizmit kushtuar shpresës së krishterë, parë në dritën e Besëlidhjes së Re.

Shpresa e krishterë nuk është si të besosh se nesër do të bëjë kohë e mirë, apo, si të dëshirosh ndonjë gjë, që mund të realizohet, ose jo. Shpresa e krishterë në ringjalljen është pritje e diçkaje që tashmë është kryer, sepse rrënjoset në Ngjalljen e Krishtit. Është si të kapërcesh një portë; porta është para meje e unë jam i sigurt se do të arrij atje, ku dëshiroj:

“Shpresa e krishterë është pritja e një gjëje të kryer, që do të realizohet për secilin nesh. Prandaj ringjallja jonë dhe e të dashurve tanë të shuar, nuk është gjë që mund të ndodhë ose jo, por realitet i sigurt, sepse e rrënjosur në ngjalljen e Krishtit. Të shpresosh, prandaj, do të thotë të mësohesh për të jetuar në pritje”.

Pasi e pati shpjeguar, në katekizmat e kaluara, shpresën e krishterë, parë në dritën e Besëlidhjes së Vjetër, Papa, vuri në pah vlerën e jashtëzakonshme, që merr ky virtyt në të Renë, kur takohet me risinë e përfaqësuar nga Jezusi dhe Pashkët e Tij.

Në qendër, në këtë kuptim, ishte leximi i shkëputur nga Letra e Shën Palit drejtuar Selanikasve.

Përballë vdekjes lindin dyshime e brishtësi

Apostulli përpiqet që të gjithë ta kuptojnë se Ngjallja e Krishtit ka rëndësi të dorës së parë për jetën e secilit - pohoi Papa -  E, ndërsa shpjegonte “Letrën drejtuar Selanikasve”, kujtoi se kur e shkroi Pali, bashkësia Selanikase qe themeluar vetëm pak vjet pas Pashkëve të Krishtit. Prej këndej, Apostulli përpiqet që selanikasit t’i kuptojnë plotësisht pasojat e kësaj historie mbi jetën e secilit.

Dëshmitare e Pashkëve të Zotit, bashkësia nuk dyshonte në ngjalljen e Tij. Të gjithë e besonin plotësisht. Ndërsa nuk e kishin të lehtë të besonin në ringjalljen e të vdekurve... Në këtë kuptim – nënvizoi Papa - kjo Letër është jashtëzakonisht aktuale:

“Sa herë ndodhemi përballë vdekjes sonë, ose të ndonjërit nga të dashurit, e ndjejmë fort sesi feja jonë vihet në provë. Dalin në pah të gjitha dyshimet, të gjitha ligështitë, e ne nuk mund të mos pyesim: ‘Thua të jetë e vërtetë se ka një jetë tjetër pas vdekjes...? Se do t’i shikojmë e do t’i përqafojmë përsëri ata, që i deshëm aq shumë?’. Këtë pyetje ma bëri një zonjë pak ditë para audiencës, duke dyshuar dukshëm: ‘Do t’i takoj, thua, të mitë?’”. 

Prandaj - vijoi Papa - edhe ne, në rrethanat aktuale, kemi nevojë të rikthehemi tek rrënjët e tek themelet e jetës sonë, që të bindemi për çka veproi Zoti për ne, në Krishtin Jezus e të kuptojmë ç’është në të vërtetë vdekja. Prej këndej, përballë druajtjes së bashkësisë, Shën Pali e fton ta mbajë të fortë mbi kokë, si të ishte përkrenare, shpresën e shëlbimit.

Të jetojmë me zemër të varfër, në pritje se do të jemi përgjithmonë me Zotin

 Duhet, prandaj, të mësohemi për të jetuar në pritje, si gruaja shtatzënë, që pret të shikojë foshnjën e saj të dalë në dritë. Por, për të jetuar kështu, duhet një zemër e varfër  - shpjegoi Papa:

“Kështu edhe ne duhet të rrojmë e t’i mësojmë këto pritje njerëzore e të jetojmë duke pritur çastin, kur do ta shikojmë Zotin. Kjo nuk është e lehtë, por mund të mësohesh të jetosh në pritje. Të shpresosh, do të thotë të kesh një zemër të përvuajtur, zemër të varfër. Vetëm një i varfër di të presë. Kush është përplot me vetveten, nuk e mbështet shpresën në askënd tjetër, veç vetes”.

Gjithçka kalon por, pas vdekjes, do të jemi përgjithmonë me Zotin - vijoi Papa - i cili, siç bën shpesh, u drejtoi besimtarëve një pyetje, që mbetet e thadruar në zemër:

“E kështu do të jemi përgjithmonë me Zotin. A e besoni këtë? Po ju pyes: a e besoni? Për të fituar pak forcë, ju ftoj të thoni tri herë me mua: ‘E kështu do të jemi përgjithmonë me Zotin’. E atje lart, me Zotin, do të takohemi. Ne, të krishterët, jemi burra e gra të shpresës”.   

Papa përshëndeti Lëvizjen Katolike Botërore për klimën, duke e falënderuar për angazhimin në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët në këto kohë të rënda krize shoqëroro-ambientale. Inkurajoi edhe të enden rrjete, që kishat vendase t’i përgjigjen britmës së tokës e të të varfërve.








All the contents on this site are copyrighted ©.