2017-02-01 13:13:00

Irak: në Ninive kthehet familja e parë kaldease


Duke iu përgjigjur thirrjes së Patriarkut kaldeas, Mar Louis Raphael Sako, dje, më 30 janar, familja e parë e krishterë u kthye në Teleskuf (Pllaja e Ninives). Ngjarje historike, që jep sadopak shpresë në atë zonë, shtënë në dorë nga Shteti Islamik që nga vera e vitit 2014. Një periudhë e errët, gjatë së cilës vdekja mbretëronte e pashqetësuar e kosa e saj priste jo vetëm koka njerëzish, por shkatërronte edhe shtëpi e kisha, duke i detyruar besimtarët e krishterë të iknin. Vetëm pas fillimit të ofensivës së ushtrisë irakiane dhe të milicive kurde, filluan të duken shenjat e para të ndryshimit të gjendjes.

Gëzimi i Patriarkut Sako

         Siç njofton agjencia katolike AsiaNews, primati kaldeas shfaqi gëzimin dhe kënaqësinë e tij për këtë kthim, duke uruar që sa më shpejt, familje të tjera të mund të largohen nga kampet e refugjatëve të Erbilit e të Kurdistanit irakian, për t’u kthyer në tokat e shtëpitë e tyre. Patriarku shpjegoi se kjo familje e parë përbëhet nga gjashtë vetë e kthehet në një zonë ku, edhe pas çlirimit e ikjes së xhihadistëve, pati një atentat majin e kaluar. Kreu i familjes me gruan e tre fëmijët, si edhe me të vëllain, kaluan dy vjet e gjysëm në një Qendër për të shpërngulur në Dohuk. Në shtëpinë e tyre i priti meshtari i zonës, atë Salar Bodagh, përgjegjës për komitetin e rindërtimit.

Duhet pastruar terreni nga minat

         Pas dhunës së xhihadistëve të Isisit, gjatë javëve të fundit, në zonën lindore të çliruar të Mosulit dhe në fshatrat e Pllajës së Ninives ka filluar një proces i ngadalshëm për t’u kthyer në normalitet. Duhen ndërtuar shtëpitë e duhen pastruar tokat nga minat e vendosura prej xhihadistëve para se të largoheshin. Për këtë arsye, Patriarku u bën thirrje autoriteteve ndërkombëtare ta ndihmojnë Irakun në këtë proces, në perspektivën e bashkimit të popullsive me fe e etni të ndryshme të rajonit. Patriarku uron që Mosuli dhe Ninive të bëhen shembuj bashkëjetese ndërmjet tyre.

Në 30 vjet, të krishterët janë kaluar nga 1 milion e 264 mijë, në 500 mijë

         Gjatë ditëve të kaluara, imzot Sako hartoi një listë me qytezat e Pllajës së Ninives, të çliruara nga ushtria irakiane (Qaraqosh, Karamleis, Bartella dhe Tilkeif), dhe nga peshmergët kurdë (Teleskuf, Batnaya, Baqofa). Sipas statistikave të regjistrimit të popullsisë në vitin 1987, në Irak, banonin 1 milion e 264 mijë të krishterë, që sot janë reduktuar në 500 mijë vetë. Në veçanti, në Mosul e në Pllajën e Ninives, para se të pushtoheshin nga Isisi, jetonin rreth 130 mijë besimtarë. Sot, më pak se 90 mijë, prej të cilëve 40 mijë vetë janë larguar për shkak të persekutimeve, ose të shpërnguljes.








All the contents on this site are copyrighted ©.