2017-02-01 12:20:00

Audienca e përgjithshme: të shpresosh do të thotë të dish të ringjallesh


Në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, Papa Françesku vijoi katekizmin kushtuar shpresës së krishterë. Në katekizmat e mëparshme - kujtoi - nisëm udhën tonë kushtuar temës së shpresës, duke rilexuar në këtë perspektivë, disa faqe të Besëlidhjes së Vjetër. Tani po kalojmë tek një temë e re, duke vënë në pah vlerën e jashtëzakonshme që merr ky virtyt në Besëlidhjen e Re, kur takohet me risinë e përfaqësuar nga Jezusi dhe Pashkët e tij: shpresën e krishterë. Ne, të krishterët, jemi burra e gra të shpresës – pohoi Papa.

Françesku bëri përsëri thirrje për mbrojtjen e shtëpisë së përbashkët. Duke përshëndetur delegacionin e Lëvizjes Katolike Botërore për Klimën, i pranishëm në Sallën e Palit VI për audiencën e përgjithshme, i falënderoi anëtarët për angazhimin në mbrojtje të shtëpisë së përbashkët, në këto kohë të rënda krize shoqëroro-ambientale. Më pas, inkurajimi i Papës për të vijuar endjen e rrjeteve, që kishat vendase t’i përgjigjen vendosmërisht britmës së tokës dhe të të varfërve.

Të gjithë kemi paksa frikë nga vdekja - nënvizoi Françesku, duke folur lirisht.- E, ndërsa shpjegonte “Letrën  drejtuar Selanikasve”, kujtoi se kur e shkroi Pali, bashkësia Selanikase qe themeluar vetëm pak vjet pas Pashkëve të Krishtit. Prej këndej, apostulli përpiqet t’i kuptojnë  plotësisht pasojat e kësaj historie mbi jetën e secilit.

Françesku vërejti posaçërisht se bashkësia nuk dyshonte në ngjalljen e Krishtit. Të gjithë e besonin plotësisht. Ndërsa nuk e kishin të lehtë të besonin në ringjalljen e të vdekurve... Jezusi u ngjall, ndërsa të vdekurit... e kishin pakëz vështirë - vijoi Papa - duke nënvizuar se kjo Letër është jashtëzakonisht aktuale. Sa herë ndodhemi përballë vdekjes sonë, ose të ndonjerit nga të dashurit, e ndjejmë fort sesi feja jonë vihet në provë, kujtoi.








All the contents on this site are copyrighted ©.