2017-01-31 15:47:00

Tweet: si Jezusi, ta ndajmë vuajtjen me të sëmurët


Papa Françesku, në një tweet botuar sot në orën 13.45 në faqen e  internetit @Pontifex në nëntë gjuhë, shkruan: “Ta imitojmë sjelljen e Krishtit ndaj të sëmurëve: Ai kujdeset për të gjithë, ndan me ta vuajtjen dhe i hap zemrat për shpresën”.

Mesazh i Papës për Ditën Botërore të të Sëmurit

Më 11 shkurtin e ardhshëm, në Kujtimin liturgjik të Zojës Lurdë, Kisha kremton Ditën e 25-të Botërore të të Sëmurit. Në mesazhin, shkruar me këtë rast, titulluar “Mrekullim për veprën që kryen Zoti: ‘Punë të mëdha bëri për mua Hyji i Gjithëpushtetshëm’”(Lk 1,49), Papa shpreh afërsinë e tij ndaj të gjithë atyre, të cilët jetojnë përvojën e vuajtjes dhe familjeve të tyre; vlerëson lart edhe ata që, në role të ndryshme e në të gjitha strukturat shëndetësore të përhapura në mbarë botën, punojnë me kompetencë, përgjegjësi e përkushtim për lehtësimin, mjekimin edhe mirëqenien e përditshme të të sëmurëve. Françesku i nxit të sëmurët, të vuajturit, mjekët, infermierët, familjarët, vullnetarët, ta kundrojnë Virgjërën Mari, “Shëndeti i të Sëmurëve”, garante e dhembshurisë së Zotit për çdo njeri  dhe model i lëshimit të plotë në dorë të të Gjithëpushtetshmit. I porosit edhe që ta gjejnë gjithnjë në fenë e ushqyer nga Fjala e Zotit e nga Sakramentet, forcën për t’i dashur Zotin e vëllezërit edhe në çastin e sëmundjes.

Të përhapet kultura e jetës

Përballë sfidave aktuale në fushën shëndetësore dhe teknologjike, Papa ripohon dinjitetin e patjetërsueshëm të çdo të sëmuri, që e ka gjithnjë misionin e tij në jetë e nuk bëhet kurrë thjesht send, edhe kur preket nga sëmundje të rënda. Fton edhe t’i jepet hov i ri impenjimit për përhapjen e kulturës, që e respekton jetën, shëndetin  dhe ambientin, si dhe për një impuls të përtirë në luftën për respektimin e tërësisë dhe dinjitetit të njeriut, edhe përmes vlerësimit të drejtë të çështjeve bioetike, mbrojtjes së më të ligshtëve dhe kujdesit për mjedisin.

Parolin, i dërguar i Papës në Lurdë

Ati i Shenjtë emëroi kardinalin Pietro Parolin, sekretar i Shtetit të Vatikanit,  të deleguarin e tij për kremtimet e Ditës, në Lurdë.








All the contents on this site are copyrighted ©.