2017-01-31 14:05:00

Papa inkurajon katolikët në Mal të Zi, Kosovë, Serbi e Maqedoni.


Vazhdon në Vatikan vizita ad limina apostolorum e kryeipeshkvit të Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshajt dhe ipeshkvit të Kosovës, imzot Dodë Gjergjit, së bashku me ipeshkvijtë e dioqezave tjera të Konferencës Ipeshkëvnore ndërkombëtare ‘Shën Çirili e Matodi’ (Ceicem), nga rajoni i Ballkanit.

Pas audiencës që patën dje, ditën e parë, te Papa Françesku, ipeshkvijtë vazhdojnë me vizitën e tyre nëpër dikasteret e ndryshme të Selisë së Shenjtë. Sot para dite ipeshkvijtë zhvilluan takime në Kongregatën e Selisë së Shenjtë për Doktrinën e Fesë, pastaj në Kongregatën për Ipeshkvij. Pasdite patën takime në Këshillit Papnor për laikët, familjen dhe jetën, dhe në Kongregatën për Jetën Rregulltare, jetën e Përkushtuar e Institutet e Jetës Apostolike .

Gjatë audiencës, dje, Ati i Shenjtë Bergoglio inkurajoi ipeshkvijtë në misionin e tyre në dioqezat përkatëse. Në qendër të bisedimeve të ipeshkvijve të Konferencës ‘Shën Çirili e Matodi’ me Papën Françesku qenë shpresat dhe vështirësitë e kësaj Kisha të vogël e të gjallë, që jeton e vepron, në mjedise ku shumica e besimtarëve janë ortodoksë a myslimanë, pra mes shumë vështirësish por gjithnjë me shpresën dhe bindjen e shpirtit ungjillor të dialogut, afërmit e pajtimit, si vlerë e domosdoshme për tërë rajonin.

Kryeipeshkvi i Tivarit, imzot Rrok Gjonlleshaj dhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, e informuan Atin e Shenjtë mbi realitetin e vendeve të tyre, mbi gjendjen e dioqezave që drejtojnë dhe mbi kontributin e Kishës katolike në shumë fusha të jetës shoqërore. Ipeshkvijtë shqiptarë i drejtuan Papës Françesku ftesën për t’i vizituar këto realitete kishtare e shoqërore, posaçërisht me rastin e shugurimit të Kishës Katedrale të Prishtinës, që bartë emrin e shën Nënë Terezës. Kështu pohoi imzot Rrok Gjonlleshaj në mikrofonin e Radio Vatikanit, siç e dëgjuam në emisionin tonë të djeshëm.

Po mbi vizitën rëndësinë e kësaj vizite ad limina apostolorum të ipeshkvijve katolikë të Serbisë, Malit të Zi, Maqedonisë e Kosovë që po zhvillohet këtë javë në Vatikan, ta dëgjojmë Presidentin e kësaj Konference Ipeshkëvnore ‘Shën Çirilit e Metodit’, imzot Ladislav Nemét, ipeshkëv i dioqezës së Zrenijaninit.

Pa dyshim, është një rast për përforcimin e fesë sonë e për përforcimin e bashkimit kishtar, posaçërisht të bashkimit me Kishën e Romës, me ipeshkvin e Romës, me Atin e Shenjtë Françesku.

Në Serbi, Mal të Zi, Kosovë e Maqedoni – ku katolikët janë pakicë – bashkëjetesa dhe dialogu janë udhë të domosdoshme. Si vijon kjo udhë e dialogut?

Për sa i përket Serbisë, bashkëpunimi e marrëdhëniet ekumenike ndërmjet Selisë së Shenjtë e Kishës ortodokse serbe autoqefale janë shumë të mira. Në nivelin më të ultë, përkundrazi, bashkëpunimi është mjaft i vështirë. Ka kontakte, por janë krejtësisht personale. Në Kosovë është i rëndësishëm dialogu ndërfetar, sepse katolikët jetojnë në mesin e myslimanëve. Në Mal të Zi e në Maqedoni është vështirë edhe për Kishën katolike të mbajë marrëdhënie me Kishës ortodokse zyrtare e edhe me dy Kishat ortodokse, që janë duke lindur me ndihmën e madhe shtetërore.

Në këto shtete, një tjetër çështje themelore është ajo që lidhet me emigracionin....

Kisha është shumë e pranishme në këtë fushë. Problemi i emigracionit kanë të bëjë më shumë me Maqedoninë e Serbinë. Kohëve të fundit, që kur komuniteti evropian e Gjermania, në mënyrë të veçantë, kanë bërë presion për marrëveshjen me Turqinë, numri i emigrantëve është zvogëluar vërtetë shumë: tani numëron me qindra persona, ndërsa para dy vjetësh ishin me mijëra në ditë.

Kohëve të fundit i keni propozuar Selisë së Shenjtë ndarjen e Konferencës ndërkombëtare “Shën Çirili e Matodi’ në Konferenca kombëtare. Pse?

Për shkak të dallimeve të mëdha që ekzistojnë ndërmjet Shteteve. Jo aq për çështjen e gjuhës. Kemi katër shtete me ligje të ndryshme: e vetëm në Serbi kemi të drejtën për të mësuar religjionin në shkollat fillore dhe në shkollat e larta. Gjithnjë në Serbi, gjenden 90% e katolikëve të tërë Konferencës së ‘Shën Çirili e Matodit’. Për sa i përket Malit të Zi, qeveria ka firmosur me Selinë e Shenjtë një marrëveshje bazë të përgjithshme. Në shtetet tjera, përkundrazi, nuk ka marrëveshje të ngjashme. Edhe ky është një dallim i madh që i karakterizon vendet.

Cilat janë sfidat, perspektivat kryesore për Konferencën tuaj?

Ta ruajmë frymën e bashkëpunimit ndërmjet katër shteteve: pavarësisht nga fakti se i kemi kërkuar Selisë së Shenjtë ta ndajë Konferencën ‘Shën Çirili e Matodi’, ne punojmë së bashku deri atëherë kur Selia e Shenjtë do të japë një përgjigje në këtë drejtim. Prioriteti dytë është përforcimi i pranisë sonë në këto katër shoqëri të ndryshme. Akoma është larg pajtimi ndërmjet kroatëve e serbëve, ndërmjet shqiptarëve e serbëve...Pra, ka probleme të mëdha e sfida të mëdha e mund të japim vërtetë një kontribut shumë pozitiv, edhe sipas Atit të Shenjtë Bergoglio, që po bën kaq shumë për paqen në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.