2017-01-30 18:33:00

Papa, i trishtuar për viktimat e atentatit në Kanada


Ngushëllimet e Papës Françesku për viktimat e atentatit të mbrëmshëm në Qendrën Kulturore Islamike të Kebekut, në Kanada, ku mbetën të vrarë gjashtë vetë dhe u plagosën tetë të tjerë. Në një telegram, nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin e dërguar nuncit apostolik në Kanada, Ati i Shenjtë shpreh afërsinë e tij me viktimat dhe me familjet e tyre, si edhe me të gjithë ata, që kontribuojnë për t’ua lehtësuar dhimbjen. I lutet Zotit për të gjithë dhe dënon me forcë “dhunën, që sjell kaq shumë vuajtje”. Papa i kërkon Hyjit të Gjithpushtetshëm “dhuratën e respektit të ndërsjelltë e të paqes”, si edhe bekime hyjnore për të gjithë njerëzit e prekur nga kjo tragjedi. Papa Françesku u takua sot në Shtëpinë e Shën Martës, edhe me kryeipeshkvin e Kebekut, kardinal Gerald LaCroix, të cilit i shprehu ngushëllimet personalisht.

         “Trishtim të madh dhe indinjatë për atentatin mizor” shpreh edhe Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar. “Me këtë gjest pa kuptim – lexohet në një notë të dikasterit vatikanas – u dhunua shenjtëria e jetës dhe respekti i detyrueshëm për një bashkësi në lutje në vendin e vet të kultit. Që këndej, dënimi i ashpër i “këtij akti dhune të padëgjuar” dhe “solidaritet i plotë me myslimanët e Kanadasë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.