2017-01-27 18:27:00

Liturgjia e Fjalës e së Dielës së 4-të të kohës së zakonshme të Vitit kishtar ‘A’


Ja përsëri në takimin tonë javor me fjalën e Zotit, kësaj radhe do të meditojmë së bashku mbi leximet biblike të liturgjisë së Fjalës së Zotit të dielës së 4-të gjatë vitit kishtar, ciklit të parë, sipas kalendarit liturgjik.

Mesazhi i lumnive që dominon Ungjillin e liturgjinë e kësaj së diele përfaqëson edhe programin më të qartë për jetën e individëve e të komuniteteve të krishtera. Lumnitë ungjillore në një farë mënyre janë parapri leximi parë e liturgjisë së kësaj së diele, ku Sofonia profet sheh në të varfrit ata që vërtetë janë në gjendje për të kërkuar e pranuar Zotin. Edhe shën Pali, në leximin e dytë, na kujton se “Zoti ka zgjedhur ata që në sytë e botës janë të dobëtit për t’i turpëruar të fortët”.

Pra, në këtë të diele të katërt të kohës së zakonshme të Vitit kishtar, liturgjia e Fjalës së Zotit na paraqet Ungjillin e Lumnive. Jezusi duke pa turmën, ngjitet në mal dhe me Apostujt përreth, u flet njerëzve, duke përcaktuar të gjitha lumnitë e Mbretërisë së Hyjit:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve.

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!...”

Predikimi Jezusit në Mal për lumnitë, na kërkon që t’i kthejmë sytë nga Hyji e nga i afërmi ynë. Lumnitë ungjillore janë një biografi e fshehtë, e brendshme e Jezu Krishtit, janë si një portret i figurës së tij. Tek Lumnitë bëhet i dukshëm misteri i vetë Krishtit dhe ato na thërrasin të bashkohemi me Të, në jetën e përditshme.

Këtë na tregon edhe historia e kishës, përmes jetës së shenjtorëve, pra na tregon profilet e shenjtërisë së jetuar nga një varg shenjtorësh, ndër ta edhe profili i Shën Nënë Terezës, Ganxhe Bojaxhiut, shembull i jashtëzakonshëm që jetoi sipas Lumnive ungjillore, që përmend Krishti. Kur shën Nënë Tereza gjeti Krishtin tek të varfrit, u varfërua nga gjithçka tjetër. Kaq shumë e kishte pasuruar Jezusi. Vetëm në këtë rrugë që tregon Predikimi i Malit, gjejmë pasurinë e jetës dhe madhështinë e thirrjes njerëzore. Lumnitë e Ungjillit mund të themi se janë magna charta e eksperiencës së ‘mbretërisë së Zotit’ në histori, pra pik referimi i përhershëm i jetës së krishterë.

Nga Ungjilli shenjt sipas Mateut (Mt 5,1-12)

Jezusi, kur pa turmën, u ngjit në mal. Kur u ul, iu afruan nxënësit e tij. Atëherë mori fjalën dhe i mësoi duke thënë:

“Lum skamnorët në shpirt, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Lum ata që qajnë, sepse do të ngushëllohen!

Lum ata që janë të butë, sepse do ta trashëgojnë tokën!

Lum ata që kanë uri e etje për drejtësi, sepse do të ngihen!

Lum të mëshirshmit, sepse do të gjejnë mëshirë!

Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do ta shohin Hyjin!

Lum pajtuesit, sepse do të quhen bijtë e Hyjit!

Lum ata që salvohen pse kryejnë çka Hyji kërkon, sepse e tyre është Mbretëria e qiejve!

Të lumët ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkak timin, t’i thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë! Gëzohuni e galdoni, sepse i madh do të jetë shpërblimi juaj në qiell! Ja po, kështu i salvuan edhe profetët para jush!” Fjala e Zotit!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.