2017-01-27 15:08:00

Françesku: mjaft dhunë e persekutime kundër të krishterëve


Të krishterët janë të thirrur të dëshmojnë dashurinë e Krishtit edhe përballë dhunës e persekutimit. Kështu u tha Papa Françesku anëtarëve të Komisionit të përbashkët Ndërkombëtar për dialogun teologjik ndërmjet Kishës Katolike dhe Kishave Ortodokse Lindore, që i priti sot paradite në audiencë. Gjaku i martirëve, nënvizoi Ati i Shenjtë, është edhe sot farë të krishterësh të rinj e mjet paqeje e bashkimi.

Para dhunës dhe persekutimit, të krishterët të jenë të bashkuar

Papa Françesku shprehu afërsinë e tij me të krishterët e shumtë, që vuajnë sot, për shkak të fundamentalizmave. “Shumë prej jush – u tha të pranishmëve – u përkasin Kishave, që përballojnë përditë furinë e dhunës e të akteve të tmerrshme, shkaktuar nga ekstremizmi fundamentalist”:

“Jemi të vetëdijshëm se situata me vuajtje kaq tragjike gjejnë rrënjë më lehtë në mesin e varfërisë, të padrejtësisë dhe të përjashtimit shoqëror, shkaktuar edhe nga paqëndrueshmëria e krijuar nga interesat e palëve, shpesh të jashtme, e nga konflikte të mëparshme, që kanë sjellë kushte të mjeruara jetese, shkretëtira kulturore e shpirtërore, në të cilat është lehtë të manipulohet e të nxitet urrejtja. Çdo ditë, Kishat tuaja janë afër vuajtjes, të thirrura të mbjellin mirëkuptim e të krijojnë me durim shpresën, duke ngushëlluar me paqen, që vjen prej Zotit, paqe që, së bashku, duhet t’ia ofrojmë botës së plagosur e të munduar”.

Pranë popullsive të sprovuara nga luftrat dhe persekutimet

Duke përmendur Shën Palin Apostull, Papa vuri në dukje se “nëse njëra nga gjymtyrët vuan, të gjitha gjymtyrët vuajnë së bashku”. Françesku u bashkua në lutje me Kishat e persekutuara, duke i kërkuar Zotit fundin e konflikteve dhe ngushëllimin për popullsitë e sprovuara, sidomos për fëmijët, të sëmurët dhe të moshuarit:

“Në veçanti, kam për zemër ipeshkvijtë, meshtarët, të shuguruarit dhe besimtarët, viktimat e rrëmbimeve mizore e, të gjithë ata, që janë marrë peng, ose janë kthyer në skllevër”.

T’i përgjigjemi me Ungjill, logjikës së dhunës

Papa foli më pas për martirët e shumtë, që dëshmuan me guxim Krishtin, duke na zbuluar “zemrën e fesë sonë”, thelbin, që nuk është një mesazh i përgjithshëm për paqe e pajtim, por vetë Jezusi, i kryqëzuar dhe i ngjallur. Ai është paqja dhe pajtimi ynë, theksoi Ati i Shenjtë:

“Si dishepuj të Tij, jemi të thirrur ta dëshmojmë kudo, me qëndresë të krishterë, dashurinë e Tij të përvuajtur, që pajton njeriun e çdo kohe. Aty ku dhuna kërkon dhunë e mbjell vdekje, përgjigjja jonë është tharmi i pastër i Ungjillit, i cili, pa i bërë lëshime logjikës së forcës, bën të lindin frytet e jetës edhe në tokë të thatë e agimet e shpresës pas netësh terrori”.

Gjaku i martirëve, farë të krishterësh të rinj e paqeje

Qendra e jetës së krishterë, vijoi Papa Françesku, misteri i Jezu Krishtit, vdekur e ngjallur për dashuri, është pikë referimi edhe për udhën tonë drejt bashkimit të plotë. Jeta e martirëve, përfundoi Ati i Shenjtë, na kërkon të bashkohemi e të ecim më shpejt në këtë rrugë. Çfarë presim?

“Ashtu si në Kishën e orëve të para gjaku i martirëve u bë farë për të krishterë të rinj, ashtu edhe sot, gjaku i sa e sa martirëve të bëhet farë bashkimi ndërmjet besimtarëve, shenjë dhe mjet i një ardhmërie në bashkim e paqe”.








All the contents on this site are copyrighted ©.