2017-01-27 13:38:00

Dita e Kujtesës: jo vetëm e popullit hebraik, por e gjithë njerëzimit


72 vjet më parë, pikërisht më 27 janar 1945, trupat ruse hynin në kampin e përqendrimit e të shfarosjes së Aushvicit, në Poloninë jugore, duke liruar ata pak të burgosur të mbijetuar nga nazistët e duke i treguar botës mizoritë më të tmerrshme të njerëzimit. Që nga viti 2005, e gjitha bota e përkujton këtë ngjarje, kthyer në Ditën e Kujtesës, përmes ekspozitave, filmave, ceremonive të ndryshme dhe tregimeve të të mbijetuarve, që jetojnë akoma.

“Ju, që jetoni të sigurtë në shtëpitë tuaja, ju që, kur ktheheni në mbrëmje, gjeni një pjatë të ngrohtë dhe fytyra miqësore, mendoni a është, vallë, njeri ky…” (Primo Levi)

Shkruar nga Primo Levi, shkrimtar italian, i mbijetuar nga Aushvici, këto rreshta të sjellin ndërmend se në kampin famëkeq të përqendrimit, ato skelete të vulosura me numra, gra, burra e fëmijë, të uritur e të bërë grusht nga frika, kishin pak gjëra të përbashkëta me njerëzit. Ndërmjet viteve ’30 dhe ’45, në Evropë u dëbuan dhe u vranë rreth 6 milion hebrenj, së bashku me romë, njerëz me të meta fizike, homoseksualë, opozitorë politikë, dëshmitarë të Jehovait: të gjitha, kategori të padëshiruara. Një plan për shfarosjen në masë, për të cilin ndikuan shumë faktorë, siç shpjegon, në mikrofonin e Radio Vatikanit, drejtori i Departamentit të Kulturës Hebraike në Romë, Claudio Procaccia:

“Të themi, ndikoi antijudaizmi historik, teoritë e reja raciste, por edhe fenomene me karakter shoqëror e kulturor më të gjerë, antropologjik, si pjesëmarrja e masave në skenarin politik ndërkombëtar, frika nga tjetri në planin psikologjik, teori shkencore të gabuara, kriza ekonomike dhe ideja e hebreut si njeri kundër gjithçkaje, sepse nuk e njeh autoritetin”.

Nga 27 janari, nazistët ishin larguar, duke marrë me vete të burgosurit me shëndet më të mirë, shumë prej të cilëve vdiqën rrugës. 7 mijë të mbijetuarit, shumë prej të cilëve fëmijë, do ta kujtojnë gjithë jetën atë përvojë të tmerrshme, që i ndryshoi përgjithmonë:

 “Kapòja e barakës na tha: ‘Po ju, ku mendoni se keni ardhur? Për pushime? S’e dini se jeni në një lager shfarosjeje?”.

“Unë isha berber; në të vërtetë, patën pyetur kush ishte berber e unë u thashë se isha, duke menduar se do t’u prisja atyre flokët, por m’u desh t’iu qethja flokët të vdekurve”.

“Dilnim në mëngjes nga kampi, duke lënë pas krematorin, dhomat me gaz, shoqet e dënuara, pirgjet me skelete jashtë krematorit, gati për t’u djegur. Unë e ktheja kokën nga ana tjetër….”.

Goti Bauer, Liliana Segre, Samuel Modiano: fjalët, që dëgjuat, janë dëshmia e tyre për Shoahun, që s’mund të harrohet. E jo thjesht, për të mëshiruar të vdekurit e të gjallët, që kaluan nëpër atë ferr, siç nënvizon kryetarja e bashkësisë hebraike të Romës, Ruth Dureghello, në një Itali, që e ka filluar pesë vjet para vendimit të Asamblesë së OKB-së, kremtimin e Ditës së Kujtesës:

“Shërben për t’i shoqëruar këto çaste me gjeste konkrete, nevojiten qëndrime të qarta e të prera, na duhet një ndërgjegje qytetare e përbashkët, që duke kujtuar, të fitojë më tepër maturi. Sepse kujtesa nuk ka të bëjë vetëm me popullin hebraik: ishte tragjedi për gjithë njerëzimin. E duhet të jemi të vetëdijshëm se rreziku ekziston e sidomos, se nuk mund të heqim absolutisht dorë nga vlerat, që na bëjnë të njëjtë e të afërt në botë".

 Në një atmosferë politike, tepër populiste, në disa vende të globit, a mund të kemi besim në brezat e rinj? Sërish Ruth Dureghello:

“Shumë më tepër nga sa mendohet. Ka një brez njerëzish, që duan të kuptojnë më shumë dhe i shohin gjërat me sy kritik: me ta duhet punuar. Edhe pse, pikërisht të rinjtë përdorin më shumë internetin e rrjetet shoqërore, të cilat fatkeqësisht, janë edhe mjet për përhapjen e urrejtjes e të dallimeve”.

Edhe populli shqiptar e kremton këtë ditë ndërkombëtare, por në ndryshim nga të tjerët, madje edhe nga vendet fqinjë, mund ta mbajë kokën lart. Gjatë Luftës II Botërore asnjë hebre nuk iu dorëzua nazistëve e madje, Shqipëria u bë vend ku strehoheshin hebrenjtë, që iknin nga tmerret e shfarosjes në vendet e tyre. Është e vërtetë se studimet për këtë kanë filluar në 15-20 vjetët e fundit, por është e vërtetë edhe se ekziston një turizëm hebraik, që me të shkelur në atdheun e shqipeve, kërkon vizita në filan familje a në filan vend, ku ata e dinë mirë se i kanë ndihmuar të parët e tyre.

Në vitin 1937, në Shqipëri banonin gjithsej 191 hebrenj. (“Hebrenjtë në Shqipëri” Katalog dokumentash të A. Q. Sh. të Republikës së Shqipërisë, Nevila Nika dhe Liliana Vorpsi). Në tokën shqiptare gjetën strehë e mbrojtje rreth 2265 vetë. “Deri në fund të Luftës II botërore numri i hebrenjve në Shqipëri u dhjetëfishua. Asnjë hebre s’u bë viktimë e luftës.” (“Hebrenjtë në Shqipëri Prania dhe shpëtimi”, Prof. Shaban Sinani, 2009).








All the contents on this site are copyrighted ©.