2017-01-27 13:27:00

Papa: frika nga gjithçka, mëkat që e paralizon të krishterin


Zoti na liron nga mëkati që na paralizon si të krishterë: nga frika prej gjithçkaje, që nuk na lejon të kemi kujtesë, shpresë, guxim e durim. Këtë, thënë me pak fjalë, nënvizoi Papa Françesku gjatë homelisë së meshës së mëngjesit kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan.

Të bie ndër mend shpëtimi i Zotit në jetën personale

Fragmenti nga Letra e Hebrenjve (Hb 10,32-39) që na propozon liturgjia e ditës – pohoi Papa Françesku – na nxit ta jetojmë jetën e krishterë me tre pika referimi: të kaluarën, të sotmen e të ardhmen. Para se gjithash na fton të na bien ndër mend ditët e kaluara, pra të na bie ndër mend kujtesa, sepse “jeta e krishterë nuk fillon sot: vazhdon sot”. Të të bie ndër mend kujtesa do të thotë të “kujtosh gjithçka”: gjërat e mira dhe ato më pak të mira, do të thotë ta vësh historinë personale “para Zotit”, pa e mbuluar a fshehur:

“Vëllezër, t’u bien ndër mend ato ditë të para”: ditët e entuziazmit, të ecjes përpara në fe, kur nisi përjetimi i fesë, sprovat që pësuat.... E mos harroni se nuk kuptohet jeta e krishterë, as jeta e përditshme shpirtërore, pa kujtesë. Jo vetëm që nuk kuptohet: por nuk mund as të jetohet në mënyrë të krishterë, pa kujtesë. Kujtesa e shpëtimit të Zotit në jetën time, kujtesa e të këqijave të mia, e mjerimeve të mia në jetën time; e pastaj të pyesim se si më shpëtoi Zoti nga këto të këqija, nga këto mjerime? Kujtesa është hir, është bekim: një hir për t’u kërkuar nga Hyji. ‘O Zot, bë që unë të mos e harroj të kaluarën tënde në jetën time, që unë të mos i harroj momentet e mira, as momentet e këqija; gëzimet e kryqet’. I krishterë është njeri i kujtesës”.

Jeto me shpresën e takimit me Jezusin

Pastaj autori i Letrës së Hebrenjve na bënë të kuptojmë se “jemi për udhë, se jemi në ecje në pritje të diçkaje”, në pritje të “arrijmë në një pikë, në një cak: në takim; të arrijmë ta takojmë Zotin”. “E na nxit të jetojmë prej fesë”:

“Shpresa: shikon drejt së ardhmes. Ashtu si nuk mund ta jetojmë një jetë të krishterë pa kujtesën e hapave të bërë, po kështu nuk mund ta jetojmë një jetë të krishterë pas shikuar të ardhmen me shpresën e takimit tonë me Zotit. E ai e thotë një frazë të bukur: ‘Akoma edhe pak...’ Ah, po, jeta është një frymë, apo jo? Kalon. Kur njeriu është i ri, mendon se ka shumë kohë përpara, por pastaj jeta na mëson se ajo fjalë që e themi të gjithë: ‘Po sa shpejt kalon koha! Këtë e kam njohur si fëmijë, e tani po martohet! Sa shpejt kalon koha!’. Vjen shpjet. Mirëpo shpresa për ta takuar Zotin është një jetë në prirje, një jetë ndërmjet kujtesës e shpresës, së kaluarës e së ardhmes”.

Jetoje të sotmen me guxim e durim

Në pikan e  tretë, Letra e Hebrenjve na fton ta jetojmë të sotmen, “shpesh herë të dhimbshme e të zymtë”, me “guxim e durim”: do të thotë, me sinqeritet, pa turp, duke i bartur me durim ngjarjet e jetës. Jemi mëkatarë – shpjegoi Papa – “të gjithë jemi mëkatarë. Kush më herët e kush më vonë... nëse doni, mund të përpilojmë listën më pas, por të gjithë jemi mëkatarë. Të gjithë. Por le të ecim përpara me guxim e me durim. Të mos rrimë aty, ndalur, të bllokuar, sepse kjo nuk na le të rritemi”.

Mëkati e paralizon të krishteri: frika nga gjithçka.

Së fundi, autori i Letrës së Hebrenjve na nxit të mos mëkatojmë sepse mëkati nuk na le të kemi kujtesë, shpresë, guxim e durim: frika nga gjithçka. “Është pra mëkati ai që nuk të le të shkojmë përpara nga frika”, ndërsa Jezusi thotë: “Mos keni frikë”. Frikacak janë “ata që shkojnë gjithmonë prapa, që e ruajnë tepër vetveten, sepse kanë frikë nga gjithçka”:

“Mos rreziko, të lutëm, jo.....kujdes...’, Urdhërimet që të gjitha, të.... Po, është e vërtetë, por kjo edhe mund të paralizojë, të bëjë t’i harrosh hiret e shumta që ke marr, të heq kujtesën, të keq shpresën e nuk të le të ecësh, nuk të le të shkosh përpara. Edhe e sotmja e një të krishteri, të një të krishteri të tillë është sikur  ajo e atij njeriu që shkon udhës e papritmas vjen shiu dhe veshja  e tij nuk është aq e mirë e kështu stofi ngushtohet.... Shpirt ngurrët... kjo do të thotë të kesh frikë nga gjithçka: ky është mëkati kundër kujtesës, guximit, durimit e shpresës. Zoti na ndihmoftë të rritemi në kujtesë, të rritemi në shpresë, na dhashtë çdo ditë guximin dhe durimin e na liroftë nga çdo gjë që është frikësim, nga çdo ndjenjë e frikës prej gjithçkaje...Shpirtra të mbyllur për t’u ruajtur. E Jezusi na thotë: ‘Kush do ta ruajë jetën e vetë, do ta bjerrë”’.








All the contents on this site are copyrighted ©.