2017-01-26 15:12:00

Kard. Zenari: në Haleb, tragjedi e jashtëzakonshme. Astana, hap pozitiv


“Çdo nismë për paqen duhet mbështetur”. Kështu reagoi nunci apostolik në Damask, kardinali Mario Zenari, pas bisedimeve për Sirinë, mbajtur në Astana të Kazakistanit, nga Rusia, Turqia dhe Irani. Prelati sapo përfundoi një mision në Haleb, ku me nismën e Papës Françesku, u hap një qendër Karitasi pa dallim feje dhe etnie. Së bashku me Sekretarin delegat të Dikasterit për Zhvillimin Njerëzor të Gjithanshëm, imzot Giampietro Dal Toso, dhe me këshilltarin e nunciaturës, imzot Thomas Habib, delegacioni u takua me bashkësitë e krishtera, vizitoi institucione katolike bamirëse dhe disa kampe refugjatësh. Gjithashtu, verifikoi kushtet e disa spitaleve për rindërtimin e tyre të mundshëm, si edhe pa nevojat e popullsisë, që nga ushqimi tek veshja e tek projektet për edukim, asistencë shëndetësore dhe strehim. Gjatë vizitës, nga 18 deri më 23 janar, delegacioni mori pjesë në një kremtim ekumenik dhe u takua me përfaqësuesit e Islamit.

         Ndërkaq, të dëgjojmë kardinalin Mario Zenari, për takimin e Astanasë, ku, në thelb, u arrit një marrëveshje për kontrollin e armëpushimit humanitar në Siri, pavarësisht se opozita e presidentit Bashar al Asad nuk u tregua plotësisht e kënaqur me të.

         Do të thosha se çdo përpjekje duhet mirëpritur: është hap pozitiv, hap domethënës; natyrisht, më pas, duhet parë zbatimi i vendimeve të këtij takimi. Shpresojmë të ndiqet nga të tjerë. Tani të shohim takimin, që do të mbahet në ditët e para të shkurtit në Gjenevë. Jetojmë me shpresë e duhet të provojmë çdo nismë, që mund të sjellë shpresë.

         Ju ishit pjesë e delegacionit të Papës, që shkoi në Haleb nga 18 deri më 23 janar. Cila është gjendja?

         Nevojat janë të jashtëzakonshme! Mundëm të shkojmë në zonën lindore, e cila është krejtësisht myslimane; së bashku me Karitasin hapëm një Qendër për shpërndarjen e ndihmave për të gjithë, pa dallim etnik e fetar. Atje, varfëria është e skajshme, mjafton të shihen shkatërrimet. Nuk ka fjalë për të shprehur atë që ndjeva para këtyre shkatërrimeve, shenja betejash të tmerrshme… Më erdhi ndërmend pjesa e vajtimeve të Jeremisë, në kapitullin I, vargu 12, ku thuhet: “O ju të gjithë që udhës kaloni, shikoni e shihni a ka dhimbje si dhimbja ime”…

         Gjithnjë në zonën lindore, vizituat edhe kampin e refugjatëve….

         Shkuam për të vizituar të shpërngulurit e kampit të refugjatëve në Sebring, pranë aeroportit. Na bënë përshtypje sidomos gratë e fëmijët: janë rreth 5 mijë vetë; u mungon gjithçka. I ndihmojnë organizatat humanitare të krishtera, por edhe ato të OKB-së. Përsa u përket fëmijëve, pamë ata të Unicefit që i organizonin me këngë, me lojra, i bënin të qeshnin. Këta fëmijë do të jenë të parët, që do t’i çojnë botës mesazhin e paqes e të pajtimit, të ndihmuar nga edukimi në këto vlera.

         Ndër etapat themelore të udhëtimit, takimi me realitetet myslimane vendase…

         U takuam me krerët myslimanë, me myftiun e Halebit. Pastaj, më çuan të shihja edhe xhaminë e famshme, që është shkatërruar. Një nga autoritetet myslimane na shpjegoi se të gjithë e kanë vuajtur luftën e Halebit. “Këtu, në këtë xhami – na tha – ka humbur jetën një ushtar i ri i krishterë”. Gjysëm ore më parë patëm vizituar kishën protestante, krejtësisht të shkatërruar. Pastori na tha se në rrënojat e saj ndodhen akoma, varrosur pa varr, katër ushtarë myslimanë, që mbronin kishën. Shembuj prekës të krishterësh, që humbën jetën duke ruajtur e mbrojtur xhamitë dhe myslimanësh, që vdiqën duke mbrojtur kishat. 








All the contents on this site are copyrighted ©.