2017-01-25 14:59:00

Papa: bashkimi i të krishterëve arrihet duke ecur së bashku


Papa Françesku kryeson sot pasdite, në orën 17.30, në Bazilikën e Shën Palit jashtë Mureve, mbrëmësoret e dyta të Festës së Kthimit të Shën Palit, në përfundim të Javës së lutjes për bashkimin e të krishterëve. I pranishëm, së bashku me Kapelën Muzikore Papnore “Sikstine”, edhe Kori anglikan i Abacisë së Uestminsterit, që paradite, gjatë audiencës së përgjithshme, e përshëndeti Atin e Shenjtë me disa pjesë muzikore.

         Edhe në tweet-in e sotëm, Françesku pohon: “Më pëlqen të përsëris se bashkimi i të krishterëve arrihet duke ecur së bashku, përmes takimit, lutjes dhe kumtimit të Ungjillit”.

         Në takimin tradicional ekumenik, kryesuar nga Papa çdo 25 janar, bashkohen delegatë të besojmave të ndryshme të krishtera. Marrin pjesë në lutjet mbrëmësore, edhe kryepeshkopi mitropolit ortodoks i Italisë dhe i Maltës, Gennadios Zervos, si përfaqësues i Patriarkatit Ekumenik të Kostandinopojës, si edhe përfaqësuesi i kryeipeshkvit të Kanterburit pranë Selisë së Shenjtë e drejtori i Qendrës Anglikane të Romës, David Moxon.

         Gjatë Mbrëmësores, të pranishmit luten që të shërohen plagët, për shkak të të cilave dishepujt e Krishtit janë akoma të ndarë. Gjithashtu, i përgjërohen Hyjit t’i ndihmojë e t’i mbështesë të krishterët, viktima të persekutimeve.

         Në audiencën e përgjithshme të paradites, Papa i ftoi të gjithë “të mos reshtin së luturi që të krishterët të punojnë, me respekt vëllazëror e me dashuri aktive, për të arritur bashkimin aq të dëshiruar”, të nxitur vetëm nga dashuria për Krishtin dhe të udhëhequr nga Shpirti Shenjt, për t’u bërë “dëshmitarë të shpresës” në botë.

         Ati i Shenjtë falenderoi veçanërisht të sëmurët, duke u kërkuar t’i ofrojnë vuajtjet e tyre për çështjen e bashkimit të Kishës së Krishtit, si edhe iu fal nderit Korit anglikan të Abacisë së Uestminsterit, që i thuri lavde Hyjit përmes këngës.








All the contents on this site are copyrighted ©.