2017-01-24 15:14:00

Imzot Fernando Ocáriz është Prelati i ri i Opus Dei-t


Papa Françesku konfirmoi Prelatin e ri të Opus Deit, imzot Fernando Ocáriz, i cili u zgjodh dje nga Kongresi i prelaturës apostolike. Ai zëvendëson imzot Javier Echevarría, që ndërroi jetë më 12 dhjetor. Imzot Ocáriz është lindur në Paris, para 72 vjetësh, nga një familje spanjolle, ikur në Francë gjatë Luftës Civile Spanjolle. Deri tani, ka qenë ipeshkëv ndihmës i prelaturës. Është pasardhësi i tretë i themeluesit të Opus Dei-t, shën Josemaría Escrivá.

Ka mbaruar universitetin në Barcelonë, në degën e fizikës e, më pas edhe në atë të teologjisë në Universitetin Papnor Lateranens. Ka mbrojtur doktoraturën në Universitetin e Navarrës, në vitin 1971, vit në të cilin është shuguruar meshtar, për t’iu kushtuar veçanërisht baritorisë së të rinjve dhe të universitarëve.

Është këshilltar i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe i dikastereve të tjera të Kuries Romake. Gjithashtu, është profesor i Teologjisë Fondamentale në Universitetin Papnor të Shën Kryqit në Romë dhe ka publikuar shumë libra. Është emëruar vikar i përgjithshëm i Prelaturës së Opus Dei-t më 23 prill 1994, ndërsa ipeshkëv ndihmës i saj në dhjetor 2014. Gjatë 22 vjetëve të fundit ka shoqëruar paraardhësin në vizitat e tij baritore në më se 70 vende. Në vitet ’60, ndërsa studionte teologji, ka jetuar me shën Josemaría Escrivá, themeluesin e Opus Dei-t. Në ditët që vijnë, do t’u propozojë kongresistëve, zëvendësit e tij dhe anëtarët e këshillave të reja, që do ta ndihmojnë për 8 vjetët e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.