2017-01-23 11:55:00

Papa në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, të kthehesh në udhën e Zotit nuk do të thotë të ndërrosh veshjet por sjelljet


Papa Françesku, ia kushtoi katekizmin e lutjes së Engjëllit të Tënzot, dje më 22 janar 2017, pjesës së Ungjillit të dielës së 3-të gjatë vitit liturgjik, që na tregon për fillimin e predikimit të Jezusit në Galile.

Predikimi i Jezusit – nënvizoi Papa Françesku – fillon në Karfanaum, në Galile, në tokën e banuar “në pjesën më të madhe nga paganët”, “gjeografikisht periferike” nga Jerusalemi “e fetarisht e papastër” për “përzierjen e atyre njerëzve që nuk i përkisnin Izraelit”. Nga Galileja “sigurisht që nuk priteshin gjëra të mëdha për historinë e shpëtimit. E pikërisht nga ky vend”, nga periferia, përhapet “drita e Krishtit”:

“Mesazhi i Jezusit ndjek gjurmët e Gjon Pagëzuesit, duke kumtuar “mbretërinë e qiellit”. Kjo mbretëri nuk sjell rivendosjen e një pushteti të ri politik, por plotësimin  e besëlidhjes ndërmjet Zotit e popullit të vet që do të përurojë një stinë të paqes e të drejtësinë. Për ta lidhur këtë pakt të besëlidhjes me Zotin, çdonjëri është i thirrur të konvertohet, të kthehet, duke shndërruar mënyrën personale të të menduarit dhe të të jetuarit. Është më rëndësi kjo: të kthehesh tek Zoti nuk do të thotë vetëm të ndryshosh mënyrën e jetesës, por edhe mënyrën e të menduarit. Është një ndërrim i mendësisë. Nuk është fjala për të ndryshuar  veshjet, por sjelljet!”.

Çka e dallon Jezusin nga Gjon Pagëzuesit – vërejti Papa – është stili e metoda:

“Jezusi zgjedh të jetë një profet itinerant, endacak. Nuk ri duke i pritur njerëzit, por lëviz e shkon për t’i takuar ata. Jezusi është gjithmonë për udhë! Daljet e tij të para misionare ndodhin buzë liqenit të Galilesë, në kontakt me turmën, posaçërisht me peshkatarët. Aty Jezusi jo vetëm që shpall ardhjen e mbretërisë së Zotit, por kërkon shokë për t’i anëtarësuar në misionin e tij të shpëtimit”.

Këtu takon dy çifte vëllezërish: Simonin e Andreun, Jakobin e Gjonin. Janë peshkatarë, janë duke punuar. Jezusi i thërret për ta ndjekur pas:

“Thirrja i gjen në kulmin e veprimtarisë së tyre të përditshme: Zoti na dëftohet jo në një mënyrë të jashtëzakonshme a të bujshme, por në jetën tonë të përditshme. Aty duhet ta gjejmë Zotin; e aty Ai na dëftohet, na bënë ta ndjejmë dashurinë e tij në zemrën tonë; e aty – duke biseduar me Të në jetën e përditshme – ndërron zemra jonë. Përgjigja e katër peshkatarëve është e menjëhershme dhe e gatshme: “Menjëherë i lanë rrjetat dhe shkuan pas Tij”.

Ne, të krishterët e sotëm – vijoi Papa Françesku – kemi gëzimin për ta shpallur e dëshmuar fenë tonë sepse ka qenë ai kumtim i parë, “sepse kanë qenë ata burra të përvujtë e guximtarë që i janë përgjigjur me bujari thirrjes së Jezusi. Në brigjet e liqenit, në një tokë të paimagjinueshme, ka lindur komuniteti i parë i dishepujve të Krishtit”.

“Njohja dhe ndërgjegjësimi për këtë zanafillë, uroj të nxisë në ne dëshirën për të sjell fjalën, dashurinë dhe përdëllimin e Jezusit në çdo kontekst, edhe në realitetet më të vështira e të ashpra: pra, ta çojmë Fjalën e Tij në të gjitha periferitë! Të gjitha hapësirat e jetës njerëzore janë terren ku duhet hedhur fara e Ungjillit, që të sjell frytet e shpëtimit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.