2017-01-23 19:27:00

Faqja e re e Muzeve të Vatikanit. Imzot Viganò: diplomacia e së bukurës


U paraqit sot faqja e re e internetit e Muzeve të Vatikanit. “Nuk është fjala vetëm për një përtëritje estetike, për një operacion makijazhi – nënvizoi prefekti i Sekretarisë për Komunikimin, imzot Dario Edoardo Viganò – por për një projekt bashkëveprimi dhe marrëdhëniesh me vizitorët. Faqja kryesore është një lloj pragu – nëse duam të përdorim terminologjinë e semiotikës – me një ndikim të fuqishëm negocial, një vend ku kurioziteti i vizitorit takohet me një objekt me vlerë. Për këtë arsye, duhet të jetë tërheqëse, e përshtatshme dhe e lehtë për t’u konsultuar; tekstet duhet të jenë të plota, por të shkurtra, duke pasur parasysh se leximi përmes kompiuterit është më i ngadalshëm me rreth 25%”.

         Në faqen e internetit www.musievaticani.va mund të shihen 57 video virtuale, që përshkojnë rrugën e mundshme të një vizitori, ndërsa aparati ikonografik përbëhet nga më se 3 mijë fotografi e rreth 13 mijë faqe të konsultueshme, të cilat do të pasurohen më tej. Bashkë me imzot Viganonë, morën pjesë në konferencën e shtypit edhe drejtoresha e re e Muzeve, Barbara Jatta, sekretari i përgjithshëm i Guvernatoratit, imzot Fernando Vérgez Alzaga dhe drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Greg Burke. “Një aspekt i rëndësishëm për mua – nënvizoi zonja Jatta – është katalogu online i veprave. Një vitrinë e rëndësishme, por edhe një mjet i çmuar didaktik, para e pas vizitës, i dobishëm për të thelluar njohuritë mbi gjithçka shihet, pasi secili kthehet në shtëpinë e vet”.

         Muzetë e Vatikanit, përmes dhënies së veprave të artit për ekspozita të rëndësishme si për shembull, në Moskë e Pekin, janë mbështetje konkrete për atë diplomaci të së bukurës, që e bën të mundur dialogun ndërmjet realiteteve, në dukje, shumë larg, shtoi imzot Viganò. “Uroj – përfundoi drejtoresha Jatta – që secili prej vizitorëve, duke hyrë në Muzetë e Vatikanit, përmes këtyre faqeve elektronike, por edhe fizikisht, të përshkohet nga ndjenja e privilegjit se gjendet në zemër të asaj bukurie, që të çon drejt fesë. Uroj gjithashtu, që ky mjet informatik të çojë edhe drejt njohurive, harmonisë dhe përshpirtërisë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.