2017-01-22 16:34:00

Veprimtaria e Papës dhe e Vatikanit: Engjëlli i Tënzot e paliot


Papa Françesku kremtoi sot Lutjen e Engjëllit të Tënzot me besimtarët e ardhur nga e gjitha bota në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan. Në Ungjillin e ditës, Jezu Krishti i fton të gjithë të kthehen në rrugën e Zotit, sepse Mbretëria e Hyjit është afër. Duke dalë për të predikuar në Galile, Ai shndriti çdo njeri me mësimet e Tij dhe i orientoi hapat e secilit drejt së mirës dhe shëlbimit të amshuar. Bashkëpunëtorët e parë të tij, dishepujt, u tërhoqën pikërisht nga shkëlqimi i kësaj drite dhe e ndoqën Jezusin në shtegtimin e Tij nëpër qytete e fshatra, duke kumtuar lajmin se Mbretëria e Zotit po afrohet e duke u qëndruar Ai vetë pranë vëllezërve në vuajtje. Kështu, Krishti e përuroi Mbretërinë e Zotit, duke e dëshmuar me jetën e Tij.

Ai deshi që kthimi në udhën e Hyjit dhe bashkimi ndërmjet ndjekësve të tij të ecnin paralelisht, duke treguar se të hysh në Mbretërinë e Zotit nuk është thjesht çështje intelekti apo vullneti, por përfshin gjithë jetën. Madje, jo vetëm jetën individuale, por edhe atë të të tjerëve. Duket sikur deshi të na thotë edhe neve sot se duke jetuar bashkë me të tjerët, duke e ndihmuar njëri-tjetrin në udhën e fesë, është e mundur t’i plotësojmë me të vërtetë të gjitha kërkesat e jetës së krishterë dhe të hyjmë në Mbretërinë e Hyjit.

Papa nuk harroi edhe popullsitë e Italisë Qendrore, në një gjendje tepër të vështirë për shkak të dëborës e të tërmetit të para disa ditëve; ftoi për lutje e solidaritet në favor të tyre.

Dje, në festën liturgjike të Shën Anjezës, në orën 11.30, në Kapelën Urbani VIII të Pallatit Apostolik, iu paraqitën Papës dy qingja të bekuar. Leshi i tyre do të përdoret për të thurur paljot e kryeipeshkvijve të rinj metropolitë. Palio është emblemë liturgjike nderi dhe jurisdiksioni, që mbahet nga Papa dhe nga kryeipeshkvinjtë metropolitë në Kishat dhe në Provincat e tyre. Palio përbëhet nga një rryp stofi prej leshi të bardhë, ku janë qëndisur shtatë kryqe prej mëndafshi të zi. Riti i bekimit të paliove kremtohet nga Ati i Shenjtë më 29 qershor, në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, apostuj.

Pak pas mesditës, në Sallën Klementine të Pallatit Apostolik, Ati i Shenjtë përuroi po dje, Vitin Gjyqësor të Gjykatës së Rotës Romake. Gjykatësit dhe avokatët, si edhe veprimtarë të tjerë, ishin mbledhur që në orën 9.00, për të kremtuar meshën e fillimit të vitit, kryesuar nga zëvendësi për Punët e Përgjithshme në Sekretarinë e Shtetit, imzot Angelo Becciu. Ndërkaq, pasdite, në orën 16.00, në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, Papa Françesku kremtoi meshën në përfundim të Jubileut për 800-vjetorin e themelimit të Urdhërit të Predikatarëve, pra, të domenikanëve.








All the contents on this site are copyrighted ©.