Në festën e Shën Anjezës, martires romake e shekullit III, të cilën ikonografia
tradicionale e paraqet e shpesh herë këtë shenjtëreshë me një qengj, sot sipas një
tradite të lashtë, sot paradite, në Kapelën Ubarni VIII në Vatikan, Papa bekoi dy
qengja, që iu paraqiten në dy shporta të veshura me kadife të verdhë, stolisur me
lule të bardha, ngjyrat e Vatikanit.
Leshi i këtyre dy qengjave do të përdoret për endjen e simbolit të paliove të shenjta,
të cilat pasi do të bekohen nga Papa, më pas vendosen në një arkë të vogël prej argjendi
të praruar pranë Varrit të Shën Pjetrit në Bazilikën e Vatikanit e, që aty, më datën
29 qershor, në festën e Shën Pjetrit e Palit Apostuj, do t’u dorëzohen kryeipeshkvijve
të ri metropolitë, në shenjë të bashkimit shpirtëror e lidhjes së ngushtë të ipeshkvijve
me Selinë Apostolike të Shën Pjetrit, që do të thotë me Papën e Romës.
Kujtojmë se simboli i palios ka një domethënie të pasur kishtare e teologjike. Palio
është stolë apo fashë prej leshi të bardhë, e gjerë 4-6 centimetra, mbi të cilën spikasin
pesë kryqe të qëndisur me mëndafsh të zi, si simbol i pesë plagëve të Krishtit në
kryq. Ajo vendoset mbi shpatulla të kryeipeshkvijve duke u mbërthyer në kraharor,
në shpinë e në shpatullën e majtë me tri karfica të stolisura me gurë, që njihen me
emrin ‘aciculae’.
Palio, që simbolizon delen e humbur, të kërkuar, të gjetur e të shpëtuar dhe të vënë
përmbi shpatullat e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit, është shprehje liturgjike e nderimit
dhe e detyrës që Papa u ngarkon ipeshkvijve mitropolitë. Tre muaj pas shugurimit ose
emërimit të tyre, ipeshkvi metropolitë duhet të marrë nga Papa simbolin e palios.
Kjo traditë kishtare nisi që nga gjysma e shekullit IX. Dorëzimi i palios bëhet në
Romë nga kardinali i parë diakon ose jashtë Rome, në selinë metropolitane, nga ipeshkvi
i ngarkuar me këtë detyrë, pas meshës solemne e pasi kryeipeshkvi metropolit ka bërë
betimin për besnikëri.
Kryeipeshkvi Metropolit e vë simbolin e palios vetëm në Meshët solemne pontifikale
të Kishës së tij dioqezane ose të krahinës së tij dioqezane në ditët e përcaktuara
nga Pontifikali Romak, në festën e Zojës së Papërlyer e të Shën Jozefit, shtuar nga
papa Leoni XIII, në rastet e shugurimeve meshtarake ose ipeshkvnore etj. Simboli i
palios ka karakter personal e nuk mund t’i dorëzohet asnjë njeriu tjetër. Nëse kryeipeshkvi
transferohet në një seli tjetër metropolitane, duhet të kërkojë një palio të re. Vetëm
Papa ka të drejtë ta mbajë gjatë meshëve solemne e kudo të jetë.
Po kujtojmë se për herë të parë simboli i palios nisi të përdorej aty nga gjysma e
shekullit V. E shohim këtë në fildishin e famshëm të Trevirit, në një procesion fetare
me relike, po edhe më qartë në figurën e Ipeshkvit Maksimiani, në mozaikun e Shën
Vitales.
Po t’i kthehemi liturgjisë së sotme që na përkujton se Zoti u dëftohet në të varfrit
e të përvuajturit e ata që janë nevojtarë dhe atyre u jep forcën e martirëve: ky është
shkandulli i Kryqit. ‘Shkandulli ‘ e ‘marrëzia’ e Kryqit gjendet pikërisht aty ku
na duket se gjithçka ka dështuar e s’ka tjetër përveç se dhimbje, humbje, pikërisht
aty gjendet e tërë fuqia e Dashurisë së pakufishme të Hyjit, sepse Kryqi është shprehje
e dashurisë dhe dashuria është fuqia e vërtetë që na zbulohet pikërisht në këtë që
na duke se është dobësi.
Siç pohon shën Pali në leximin e parë të Meshës në festën e sotme të Shën Anjezes,
asgjë nuk mund të na ndajë nga dashuria e Krishtit: as përndjekjet, as rreziqet, as
vdekja. E Papa i fton të gjithë besimtarët ta dëshmojnë fenë në Krishtin pa kompromise.
Martiri i krishterë e aktualizon fitoren e dashurisë mbi urrejtje e mbi vdekje. T’i
lutemi Zotit, për ata që vuajnë për shkakun e besnikërisë së tyre ndaj Krishtit e
Kishës së tij. Zoja e Bekuar, Mbretëresha e Martirëve, na ndihmoftë të jemi dëshmitarë
të besueshëm të Ungjillit, duke iu përgjigjur armiqve me forcën çarmatuese të së vërtetë
e të dashurisë.
All the contents on this site are copyrighted ©. |