2017-01-20 14:43:00

Papa Françesku i çon mesazh Marrshimit për jetën në Francë


Në një mesazh, Papa Françesku përshëndet pjesëmarrësit e Marrshimit për Jetën, që do të zhvillohet në Paris, kësaj së diele. Duke i shkruar nuncit apostolik në Francë, imzot Luigi Ventura, Ati i Shenjtë kujton se “Kisha nuk duhet të lodhet kurrë së qeni mbrojtëse e jetës dhe nuk duhet të reshtë se thëni se jeta njerëzore duhet mbrojtur pa kushte nga zënia deri në vdekjen e natyrshme”.

         Edhe gjatë vizitës “ad Limina” të ipeshkvijve francezë në Vatikan, në vitin 2015, Papa Françesku u pati theksuar se nuk mund të bëhen kompromise në këtë fushë, pa u bërë edhe vetë Kisha fajtore për kulturën e hedhurinave, e cila, fatkeqësisht, është mjaft e përhapur. Në mesazhin për të dielën, Ati i Shenjtë i inkurajon pjesëmarrësit në Marrshimin për Jetën të punojnë pa u lodhur për ndërtimin e qytetërimit të dashurisë dhe për kulturën e jetës.

         Aktualisht në Francë, parlamenti po përgatitet të miratojë një ligj, që synon t’i dënojë faqet e internetit në favor të jetës, të cilat u propozojnë grave alternativa në vend të abortit. Të shumtë janë ata, edhe jashtë botës katolike, që flasin për ligj lirivrasës. Vërtet, nga faqet shtetërore të internetit, nuk u jepet grave asnjë informacion e mundësi tjetër, përveçse abortit. Madje nuk flitet për fëmijën e nuk përdoret as emri “embrion” apo “fetus”, por vetëm, në përgjithësi, përmendet “përmbajtja” e shtatzanisë. Ndërkaq, nëse ligji miratohet, ata që mbrojnë jetën mund të rrezikojnë deri në dy vjet burg e 30 mijë euro gjobë. Dënim, që nuk parashikohet as për ata, që shkruajnë vulgaritete e nxisin dhunën e integralizmin në faqet e tyre të internetit.








All the contents on this site are copyrighted ©.