2017-01-19 09:00:00

Opus Dei: të shtunën zgjidhet Prelati i ri


Do të fillojë të shtunën, në Romë, procesi zgjedhor i pasardhësit të tretë të themeluesit të Opus Deit, shën Josemaria Escrivà. Prelati i ri do të marrë detyrën e imzot Javier Echevarria, vdekur më 12 dhjetorin e kaluar. Janë 94, meshtarët, që plotësojnë kërkesat e parashikuara për zgjedhjen e një Prelati të Opus Deit: të ketë mbushur 40 vjeç, të jetë anëtar i Kongresit zgjedhor, të jetë pjestar i prelaturës së paku, që prej 10 vjetësh e të jetë meshtar së paku, që prej 5 vjetësh. Kandidatët e mundshëm vijnë nga 45 vende të ndryshme.

 “Po e jetojmë këtë periudhë me lutje – pohon vikari ndihmës i prelaturës, imzot Fernando Ocariz. Këto ditë ndjehemi të bashkuar me Papën Françesku e me gjithë Kishën, në të cilën Opus Dei është vetëm një pjesë e vogël. Natyrisht, ndjenja e mirënjohjes për punën baritore dhe shembullin e mirë, që na ka lënë imzot Echevarria, është e madhe”.

Statutet e prelaturës së Opus Deit përcaktojnë edhe kushtet njerëzore, shpirtërore dhe juridike, të nevojshme për t’u zgjedhur Prelat. Kandidati “duhet të dallohet në virtytet e bamirësisë, të kujdesit, të mëshirës, të dashurisë për Kishën, ndërsa mësimet e tij duhet të shprehin besnikërinë ndaj Opus Deit; duhet të ketë kulturë të thellë si në shkencat kishtare, ashtu edhe në ato ‘profane’ e të ketë aftësi të përshtatshme për udhëheqjen baritore”.

Procesi për zgjedhjen e Prelatit të ri do të fillojë me një takim të parë të Këshillit qendror, më 21 janar, ndërsa në datën 23, do të fillojë Kongresi zgjedhor, në të cilin do të marrin pjesë 194 anëtarë të Opus Deit, meshtarë e laikë që kanë mbushur moshën 32 vjeç dhe bëjnë pjesë në prelaturë që prej të paktën nëntë vjetësh. Ata janë zgjedhur nga kombe të ndryshme, ku shërben Opus Dei.

Duke pasur parasysh propozimet e Këshillit qendror, Kongresi zgjedhor vijon me votimet. I zgjedhuri, pasi ta ketë pranuar detyrën, i kërkon konfirmimin Papës, i cili, më pas, nëse nuk ka asnjë kundërshtim, e emëron në krye të prelaturës. Së fundi, kongresistët mblidhen për të caktuar anëtarët e Këshillave të kryesisë, që ndihmojnë Prelatin në udhëheqjen e prelaturës, shqyrtojnë gjendjen dhe veprimtaritë apostolike në botë dhe përcaktojnë orientimet e punës baritore për tetë vitet e ardhshme.








All the contents on this site are copyrighted ©.