2017-01-18 10:29:00

Papa: fillon sot Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, të lutemi për këtë


“Sot fillon Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve. Shpresa jonë e bashkimit shprehet përmes lutjes sonë, është një shpresë që nuk zhgënjen, ju ftoj të luteni për këtë qëllim. Zoti ju bekoftë”. Kështu tha sot Papa në përshëndetjen drejtuar grupeve të gjuhës franceze, gjatë audiencës së përgjithshëm në Sallën Pali VI në Vatikan.

Java e lutjes për bashkimin e të krishterëve, që kremtohet çdo vit ndërmjet 18 e 25 janarit, është pa dyshim një nga frytet më të bukura të këtij dialogu ekumenik, i cili ka nevojë të vazhdohet e sidomos, të vlerësohet nga gjithë besimtarët në Krishtin. Për vitin 2017 tema është: “Dashuria e Krishtit na shtyn drejt pajtimit”. Është Gjermania, vendi ku filloi punën për herë të parë komisioni i përbashkët, ai që ka përgatitur tekstet për kremtimin e kësaj jave.

Teksti biblik, të cilit i referohet tema është Letra e dytë e Shën Palit drejtuar korintasve (5,14-20). E pikërisht reflektimi biblik i përgatitur nga komisioni, kujton se “pajtimi është dhuratë, që vjen prej Zotit për krejt Gjithësinë. Si rezultat i veprimit të Hyjit, njeriu, i pajtuar në Krishtin, është i thirrur nga ana e tij ta shpallë këtë pajtim me fjalë e vepra”.








All the contents on this site are copyrighted ©.