2017-01-17 11:49:00

Papa: të krishterët të jenë të guximshëm, jo dembelë


Të krishterët duhet të jenë të guximshëm, plot shpresë, të aftë t’i kapërcejnë çastet e vështira. Ky qe inkurajimi i Papës Françesku në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Të krishterët dembelë, kritikoi Ati i Shenjtë, e konsiderojnë Kishën si të ishte parking.

Papa Françesku reflektoi, duke u nisur nga Letra drejtuar Hebrenjve në liturgjinë e sotme. Zelli për të cilin flitet në të, guximi për të ecur përpara: ky duhet të jetë qëndrimi i të krishterit në jetë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke bërë krahasimin me ata, që stërviten në stadium për të fituar garën. Por leximi i ditës përmend edhe dembelinë, e kundërta e guximit. Dembelët, vërejti Papa simbolikisht, jetojnë në frigorifer, sepse nuk duan të ndryshojë gjë:

“Të krishterët dembelë, të krishterët, që nuk duan të ecin përpara, të krishterët, që nuk luftojnë për të bërë gjëra, të cilat e ndryshojnë situatën, gjëra të reja, gjëra, që do t’u bënin mirë të gjithëve, nëse do të sillnin ndryshime. Janë dembelë, të krishterë të parkuar: e konsiderojnë Kishën si të ishte parking. E kur them të krishterë, them laikë, meshtarë e ipeshkvij… Të gjithë! Sa të krishterë të parkuar ka! Për ta Kisha është parking, ku mbyllet jeta e, kështu, ecin përpara me të gjitha siguritë e mundshme. Por këta të krishterë, që nuk lëvizin, më bëjnë të mendoj diçka, që na e thoshin gjyshërit kur ishim të vegjël: ‘Kujdes se uji i ndenjur, ai që nuk rrjedh, është i pari që qelbet’”.

Të kemi shpresë e durim në çastet e vështira

Të krishterët e marrin guximin nga shpresa, ndërsa dembelët nuk kanë shpresë, kanë dalë në pension tashmë, nënvizoi Papa. E në pension shkohet pas shumë vitesh pune, por jo më parë. Ta kalosh gjithë jetën në pension është fatkeqësi, theksoi. Ndërsa shpresa është spiranca, ku duhet të kapemi për të luftuar edhe në çastet e vështira:

“Ky është mesazhi i sotëm: shpresa, ajo shpresë që nuk zhgënjen, që shkon përtej. E thotë [leximi i sotëm]: shpresë, që ‘është spirancë e sigurtë dhe e qëndrueshme për jetën’. Shpresa është spirancë: e kemi hedhur dhe jemi kapur pas litarit, por aty qëndrojmë. Kjo është shpresa jonë. …Shpresë do të thotë luftë… Në luftën e përditshme, shpresa është hapje horizontesh, jo mbyllje në vetvete! Është virtyt, që kuptohet pak, por është më i fuqishmi. Të jetojmë me shpresë, gjithnjë duke shikuar përpara me guxim.  ‘Po, mor atë – mund të më thotë ndokush prej jush – por ka edhe çaste të vështira, kur gjithçka duket e errët, ç’duhet të bëjmë atëherë?’. Kapu pas litarit të shpresës e ki durim”.

Të krishterët e parkuar shohin vetëm vetveten, janë egoistë

Askush nuk e ka të lehtë jetën, vërejti Papa Françesku. Duhet luftuar me guxim për të e nganjëherë, edhe gabojmë. Duket sikur ai që rri pa lëvizur nuk gabon, por nuk është kështu. E kur na duket se s’mund të ecim përpara, sepse gjithçka është e errët dhe dyert janë të mbyllura, duhet të kemi durim e të mos e lëshojmë veten. Në përfundim, Ati i Shenjtë i këshilloi të pranishmit t’i bëjnë pyetje vetes nëse kanë durim e nëse shpresojnë vërtet në Zotin, që nuk zhgënjen:

“Le ta bëjmë pyetjen: si jam unë? Si është jeta ime e fesë? Është jetë me horizont, me shpresë, me guxim, a ecim përpara apo kemi një jetë të vakët, që s’di të durojë gjatë çasteve të vështira? Zoti na dhashtë hirin, siç u lutëm në fillim të meshës, që ta kapërcejmë egoizmin tonë, sepse të krishterët e parkuar, të krishterët e palëvizshëm, janë egoistë. Duke parë vetëm vetveten, ata nuk dinë ta ngrenë kryet për të parë Hyjin. Zoti na e dhashtë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.