2017-01-15 19:41:00

Papa në Setteville: “Famullia pa thashetheme është e përkryer”


Papa vizitoi sot famullinë e Shën Marisë, në Setteville, provincë e Romës. I nisur në orën 15.00 nga Shtëpia e Shën Martës, arriti në famulli rreth orës 15.30. Për ta pritur kishin dalë shumica e banorëve të zonës, katolikë e jo, kryesuar nga famullitari, don Luigi Tedoldi. Të gjithë shumë të emocionuar, ngaqë nuk e kishin pritur se do t’i vizitonte Ati i Shenjtë. 

Sapo arriti, Françesku u ngjit menjëherë në apartamentin e meshtarëve, për të vizituar Don Giuseppe Berardinon, i sëmurë me SLA, “kryqëzuar” në karrikën me rrota. Kujtojmë se shtytjen e parë për vizitën në këtë famulli, Papa e mori pikërisht nga dëshira që të takohej me të sëmurin, duke e lehtësuar sadopak me praninë e tij vëllazërore. Ishte një çast i paharrueshëm për Meshtarin, por edhe një mësim i çmuar për të gjithë besimtarët.

Më pas, takimet e tjera: me të sëmurët, me fëmijët e katekizmit, me prindërit e fëmijëve të pagëzuar gjatë vitit, me bashkëpunëtorët e veprimtarisë baritore.

Rreth orës 17.30 Françesku ishte në sakresti, ku rrëfei disa pendestarë e, më pas, në orën 18.00, në Kishë për kremtimin e Meshës Shenjte.

Në qendër të homelisë, Ungjilli i ditës, e pikërisht, dëshmia e Gjonit: “Ja, Qengji i Hyjit! Ky ia shlyen mëkatin botës! Ky është ai, për të cilin thashë: ‘Pas meje vjen një njeri, që është më i madh se unë, sepse ishte përpara meje! Ky është Mesia'”. Jep dëshmi, e disa dishepuj, duke e dëgjuar këtë dëshmi, shkuan pas Jezusit e mbetën shumë të kënaqur. E ndjenë praninë e Jezusit. Po pse e takuan Jezusin? Sepse ishte një dëshmitar, ishte një njeri, që dha dëshmi për Të.

Kështu ndodh edhe në jetën tonë - aktualizoi Papa. - Ka shumë të krishterë që dëshmojnë se Jezusi është Zoti; ka shumë priftërinj, shumë ipeshkvij, që e japin këtë dëshmi … Po, thua të gjithë japin dëshmi për Jezusin? - pyeti Françesku - Apo të jesh i krishterë është një mënyrë jetese, si të ishe tifoz i një skuadre. Ose si të ndiqje ndonjë filozofi. “Unë respektoj këto urdhërime, jam i krishterë e duhet të bëj këtë e këtë":

 “Të jesh i krishterë, para së gjithash, do të thotë të japësh dëshmi për Jezusin. E këtë e bënë Apostujt. Prandaj edhe shkoi në të gjithë botën krishterimi. Dhanë dëshmi, e edhe u martirizuan. Dëshmia mund të jepet  duke u nisur nga gjërat e vogla e të mëdha, deri tek martirizimi, ashtu si e dhanë Apostujt”.

Por Apostujt - shpjegoi më tej Papa – nuk kishin kryer ndonjë kurs, që të bëheshin dëshmitarë të Jezusit, nuk kishin studiuar, nuk kishin shkuar në universitete. E ndjenë Shpirtin Shenjt në shpirtin e tyre dhe e ndoqën frymëzimin e  Tij besnikërisht. Po ishin mëkatarë, të gjithë:

“Dymbëdhjetë mëkatarë. ‘Jo, atë, ishte vetëm Juda!’. ‘Jo, i varfëri’”.  Kështu u shpreh Papa, duke kujtuar Judën e duke shtuar: “Nuk e dimë ç’mund të ketë ndodhur, sepse Zoti është i mëshirshëm e në fund të fundit edhe të tjerët  e kishin braktisur Jezusin”.

Të gjithë - vijoi - ishin mëkatarë, të gjithë. Ziliqarë, e kishin lakmi njëri-tjetrin: jo unë dua të zë vendin e parë, jo ti të dytin! Mëkatarë e edhe tradhtarë, sepse kur e kapën Jezusin, të gjithë ikën, apo jo? Plot me frìkë: u fshehën.

Kështu Papa, që më pas rikujtoi skenën e famshme ungjillore, në të cilën Pjetri e mohoi Krishtin:

“E mohoi Jezusin. E tradhtoi. Pjetri. Papa i parë! E këta janë dëshmitarët. Janë! Sepse dëshmuan shëlbimim, që Jezusi e sjell për të gjithë; e pikërisht për këtë shëlbim bënë kthesë dhe e shpëtuan veten. Gjë e bukur - vijoi të kujtonte Papa - kur në breg të detit  Jezusi bën mrekullinë e Pjetri  i thotë: ‘Largoju nga unë, o Zoti im, sepse jam mëkatar’”.

Dha dëshmi për Të, e që atë çast u mundua të bënte mirë, duke e korrigjuar jetën e vet, duke ecur në udhë të drejtë.

Gjithsesi unë desha t’ju lë një mesazh – vijoi Papa - Është një mëkat, që nuk e kam gjetur kurrë ndërmjet mëkateve të Apostujve. Sipas rrëfimit të Ungjillit, ndërmjet tyre ka tradhtarë, burracakë, por asnjë shpërrallues, asnjëri përgojues. E tradhtuan Zotin  - shtoi - por nuk e morën kurrë nëpër gojë. Të gjithë jemi mëkatarë - vijoi - por një bashkësi që ka fjalamanë e fjalamane, që merren gjithë ditën me thashetheme, është bashkësi e paaftë për të dhënë dëshmi. Po ju them vetëm këtë – kujtoi Papa - për t’u drejtuar më pas besimtarëve të famullisë pyetjen: “A dëshironi të keni një famulli të përkryer? Mos u merrni kurrë me thashetheme”. Nëse keni gjë për t’i thënë tjerit, shkoni e thojani në sy. Kjo është shenjë, që tregon se në këtë famulli është Shpirti Shenjt. Mëkate kemi të gjithë, një koleksion mëkatesh, por ajo, që e rrenon bashkësinë, janë thashethemet, pas shpine:

“Unë do të dëshiroja që në këtë ditë të vizitës sime, kjo bashkësi të premtojë që të mos merret me thashetheme. E kur të të vijnë në buzë thashethemet, kafshoje gjuhën. Një famulli, ku nuk ka përgojime, është e përkryer, famulli mëkatarësh, por edhe dëshmitarësh. E kjo ishte dëshmia, që jepnin të krishterët e parë. Shih si duhen, sa duhen, thoshin për ta! Zoti jua dhashtë këtë dhuratë, këtë hir, që kurrë, kurrë të mos e merrni nëpër gojë njëri-tjetrin”

Këtë porosi u la Papa besimtarëve, që ishin mbledhur në mjediset e famullisë që në orën 15.00. Kisha ishte plot. Grupet, që do të takoheshin me Papën prisnin me padurim radhën. Ndërsa një mori fëmijësh qenë ulur përdhe në Sallën Pali VI të famullisë, ku më pas u zhvillua edhe takimi me të rinjtë. Mjediset qenë stolisur me lule të bardha e të verdha, ngjyrat e Vatikanit, ndërsa në të katër anët binin në sy gazetarët e shumtë, që ndiqnin vizitën papnore.








All the contents on this site are copyrighted ©.