2017-01-15 00:00:00

Disa çaste pas dritares së Papës, ku përgatitet Engjëlli i Tënzot


Kur ora në krah të majtë të Bazilikës së Vatikanit troket 12 herë e  njëkohësisht dëgjohet fort edhe e shtëna me top nga kodra romake Gjanikolo, që shënon mesditën, në Sheshin e Shën Pjetrit,  mijëra besimtarë presin, me sy përpjetë, hapjen e perdes së bardhë të dritares së Pallatit Apostolik, që mbarë bota e njeh si “e Engjëllit”. Pas saj Papa Françesku tashmë është gati për lutjen. Pikërisht në mesditë, perdja e bardhë hapet, e Papa, pasi përshëndet besimtarët, nis kremtimin e lutjes së Engjëllit të Tënzot ose të Mbretëreshës Qiellore (në periudhën ndërmjet  Pashkëve e  Rrëshajëve).

Po çfarë ka pas kësaj perdjeje? Pas saj është biblioteka e Papës. Ndonjë karrikë e, natyrisht, edhe rafti i librave, punuar me dru arre. Stil i thjeshtë, i përkorë. Atmosferë dijeje e lutjeje. Gjithçka tregon se Papa e përdor rrallë herë këtë dhomë, prej nga niset Lutja e Mesditës, një nga më të ndjekurat prej besimtarëve të mbarë botës. E kjo, sepse Françeskut i pëlqen më shumë të takohet me njerëzit, pa i përjashtuar as librat, kuptohet, të cilët i merr me vete në dhomën tjetër të thjeshtë të Shën Martës për të ndenjur me ta, kur nuk mund të rrijë me njerëzit. Natën, domethënë. Kur ka shumë nevojë për librat, sepse zhytet në orët  e punës, në të cilat mbi tryezën e tij është e pranishme gjithë bota!

E një nga takimet më të dashura për Papën, është pa dyshim lutja e Engjëllit të Tënzot. Kur orët trokasin dymbëdhjetën, Papa ka arritur tashmë në studio. Me të zakonisht është edhe sekretari i posaçëm, Fabian Pedacchio ose Yoannis Lazhi Gaid, sekretar i dytë, i cili i dorëzon fletën me fjalimin e shkurtër. Kjo, konferenca javore e shtypit, që mban Papa për besimtarët. Aq e ndryshme nga qindra konferenca shtypi, që shtjellohen gjatë javës nëpër botë. Me gojën e tij flet Zoti, e flet edhe jeta javore e mbarë Planetit. Me sukseset e dramat e saj të pafundme…

Teksti përgatitet një ditë më parë.

Papa Bergoglio, si Papa Benedikti, në fjalimin e shkurtër që i paraprin lutjes, komenton kryesisht leximet e Meshës të së dielës. Në hartimin e tekstit ndihmohet nga Sekretaria e Shtetit e varianti përfundimtar është gati një ditë para lutjes. Por jo rrallë Papa e plotëson, duke folur lirisht, gjë që e dëgjojmë me kënaqësi shumë shpesh.

Nëse grupet e pranishme dëshirojnë që Ati i Shenjtë Papë t’i kujtojë në lutje, duhet t’ia komunikojnë praninë, duke u vënë në lidhje me Prefekturën  e Shtëpisë Papnore ose me Sekretarinë e Shtetit. Rëndësi ka të njoftosh me kohë. Zakonisht Papa duket i vetëm në dritare, por ndodh edhe që shoqërohet me ndokënd tjetër, me të rinjtë e Veprimit Katolik, të  Ditëve Botërore të Rinisë ose, kur lutja kremtohet në ditë që kanë të bëjnë me paqen, me … dy pëllumba, të cilët fluturojnë të lirë nga dora e Atit të Shenjtë, të ndjekur nga mijëra sy…Si ogur i mirë për paqen në botë. Kur  kremtohet lutja, Papën e shoqërojnë disa rregulltarë, që rrinë pas Tij, para mikrofonave të vendosur aty enkas për ta.

Lutja  e parë publike e Engjëllit të Tënzot, më 1954

Na mbetet edhe kurioziteti i fundit: kur nisi zakoni i kremtimit të lutjes mariane nga dritarja “e Engjëllit”. Është një doke e vonë. Nisi më 15 gushtin e vitit 1954, kur Papa Piu XII lejoi që Radio Vatikani ta transmetonte lutjen e Engjëllit të Tënzot të cilën po e kremtonte në Castelgandolfo, seli verore e papëve. E Paçelit ky transmetim iu duk shumë interesant. Prej këndej, në vjeshtën e vitit 1954 nisi ta kremtojë lutjen e Engjëllit të Tënzot nga dritarja e studios papnore në Pallatit Apostolik. Që aso kohe në hapësirën e Sheshit të Shën Pjetrit në Vatikan, me pamjen e dy krahëve të hapur të Kishës, që përqafojnë mbarë njerëzimin, kur orët trokasin 12.00, jehon  lutja:

Engjëlli i Zotit iu fal Zojës Mari; e ajo u zu  për virtyt të Shpirtit Shenjt.

Të falemi Mari...

Ja shërbëtorja e Hyjit; u bëftë mbi mua si është fjala jote.

Të falemi Mari...

E Fjala u bë njeri; e banoi ndër ne.

Të falemi Mari...

Lutu për ne, o e shenjtnueshmja Nënë e Hyjit; të bëhemi të denjë për premtimet e Jezu Krishtit”.

Lutja jehon në vite, që nga viti tashmë  i largët 1954, e jehoi edhe sot kur besimtarët e ndoqën përsëri Françeskun i cili, nga dritarja e Engjëllit,  komentoi Ungjillin e së dielës e dha bekimin apostolik.








All the contents on this site are copyrighted ©.