2017-01-14 17:35:00

Françesku takohet me Abbas: të rifillojnë bisedimet e drejtpërdrejta për paqe


Françesku priti sot paradite në audiencë presidentin e Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abbas. Gjatë takimit, që zgjati 25 minuta - njofton një notë e Sallës Vatikanase të Shtypit - u fol kryesisht mbi procesin e paqes në Lindjen e Mesme dhe u theksua rëndësia që ka mbrojtja e Viseve të Shenjta.

Ishte takim nën shenjën e paqes për Lindjen e Mesme. Papa Françesku dhe presidenti i Shtetit të Palestinës, Mahmoud Abu Abbas - njofton një notë  e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë – biseduan posaçërisht lidhur me paqen në rajon, duke shprehur dëshirën për rifillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta ndërmjet palëve për t’i dhënë fund dhunës, që u shkakton vuajtje të papranueshme popullsive civile si dhe për arritjen e rrugëzgjidhjes së drejtë e të qëndrueshme të konfliktit.

Bashkësia ndërkombëtare të favorizojë klimën e besimit për paqen në Lindjen e Mesme

Për këtë qëllim - vijon kumunikata – të dyja palët uruan që, me mbështetjen e Bashkësisë ndërkombëtare të merren masa, të cilat favorizojnë besimin reciprok dhe ndihmojnë në krijimin e klimës së përshtatshme për vendime të guximshme në favor të paqes. Vëmendje e veçantë – vijon nota – iu kushtua edhe konflikteve të tjera, që trondisin rajonin. Papa dhe Abbas kujtuan, më pas, rëndësinë që ka mbrojtja e Viseve të Shenjta për besimtarët e tre besimeve abramitike.

I rëndësishëm, kontributi i katolikëve në ndihmë të të varfërve  dhe të edukimit

Gjatë bisedimeve u kujtuan edhe marrëdhëniet ekzistuese ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Palestinës, vulosur nga Marrëveshja  globale e vitit 2015, që ka të bëjë me aspektet themelore të jetës dhe të veprimtarisë së Kishës në shoqërinë palestineze. Në rrethana të tilla, Françesku e Abbas vunë në dukje kontributin e rëndësishëm të katolikëve në favor të promovimit të dinjitetit njerëzor dhe në ndihmë të më nevojtarëve, posaçërisht në fushën e edukimit, të shëndetit dhe të asistencës.








All the contents on this site are copyrighted ©.