2017-01-13 14:21:00

Papa të rinjve: dëgjojeni zërin e Zotit e bëjeni të dëgjohet britma tuaj


“Mos kini frikë ta dëgjoni Shpirtin Shenjt, që ju këshillon të zgjidhni rrugë të guximshme”. Kjo, porosia e Papës në Letrën drejtuar të rinjve sot, me rastin e paraqitjes së dokumentit përgatitor të Sinodit kushtuar thirrjeve, që do të mbahet në tetor 2018. Tema e takimit do të jetë: “Të rinjtë: feja dhe shqyrtimi i thirrjeve”.

“Një botë më e mirë ndërtohet edhe falë jush, dëshirës suaj për ndryshime e bujarisë suaj”. Papa i nxit të rinjtë, duke u kujtuar fjalët e Zotit drejtuar Abrahamit,  atë “shko!”, duke e nxitur të dilte nga trojet e veta. E përmes një paralelizmi mjeshtror, edhe Papa i nxit të rinjtë “të dalin”, “të nisen”, të shkojnë drejt një ardhmërie të panjohur, por plot me premtime, për të realizuar gjëra të mëdha, ku të prin vetë Zoti. Ftesa është ta dëgjojnë zërin e Zotit, që u jehon në shpirt, përmes frymëzimit të Shpitit Shenjt.

Të dalësh nuk do të thotë të ikësh

Të dalësh - shpjegon Françesku - nuk do të thotë të arratisesh nga bota, por të shtegtosh drejt një toke të re, për të ndërtuar një shoqëri më të drejtë e më vëllazërore deri në skajet më të humbura të botës. Françesku nënvizon se fjala “shko!”, sot fiton edhe një kuptim tjetër, atë të  shpërdorimit, të padrejtësisë, të luftës. E të kujton menjëherë të rinjtë e shumtë, që detyrohen të ikin nga viset e tyre, sepse të kërcënuar nga dhuna. Britma e tyre lartohet deri tek froni i Zotit, si britma e Izraelit, skllav nën shtypjen e faraonit – nënvizoi me forcë Françesku.

Në takimin me Jezusin, hesht rropama e botës

Papa u flet të rinjve për takimin me Jezusin, u flet për shikimin e Tij, i këshillon ta dëgjojnë e të vihen për udhë. Eshtë i sigurt se, pavarësisht nga rropama e shurdhimi, që duket sikur mbretërojnë mbi botën, kjo thirrje do të vijojë të jehojë në shpirtin e të rinjve e t’ua hapë zemrat për gëzimin e amshuar.

Zoti është i pasur me mëshirë

Për Françeskun, rëndësi të dorës së parë ka shqyrtimi, shoshitja, aftësia për ta dalluar të mirën nga e keqja, edhe përmes shoqërimit nga prijës të aftë, që të mund të zbulojnë, kështu, planin e Zotit në jetën e tyre. Zoti, i pasur me mëshirë, e shtrin dorën e tij sa herë që të keni nevojë të ngriheni përsëri në këmbë - i siguron Papa të rinjtë - sepse kjo është udhë me të përpjeta e të tatëpjeta, në të cilën nganjëherë mund edhe të rrëzohesh. Në vijim  Françesku kujtoi atë “po” të stuhishme, që u lartua drejt qiellit nga mijëra gojë rinore, gjatë Ditës Botërore të Rinisë në Krakov, kur i pati pyetur të rinjtë nëse gjërat mund të ndryshonin. Britmë - vijoi të kujtojë – që lindi nga zemra juaj e re, e cila nuk mund të durojë padrejtësi, nuk mund të përluet para kulturës së hedhurinës e as të gjunjëzohet para globalizimit të indiferencës.   “Dëgjojeni këtë britmë, që doli e del nga thellësitë e shpirtit tuaj - vijoi Papa - Zoti ju dhashtë zemër të shkoni atje, ku Ai vetë ju dërgon!”

Shpirti Shenjt këshillon rrugë të guximshme

Françesku u kujton të rinjve se nuk duhet pasur frikë nga zëri i Shpirtit Shenjt, që këshillon rrugë të guximshme, as nuk duhet ngurruar, kur ndërgjegjja të kërkon të rrezikosh, për të ecur në gjurmët e Mësuesit. Më pas flet për një Kishë në dëgjim, që ua vë mirë veshin edhe dyshimeve e kritikave: “Bëjeni të dëgjohet britma juaj, lëreni të jehojë në bashkësitë, bëjeni të arrijë deri në veshët e barinjve - i fton Papa të rinjtë – për t’u kujtuar, më pas, Shën Benediktin, që i porosiste abatët ta dëgjonin zërin e të rinjve, para se të merrnin vendime të rëndësishme, sepse shpesh herë Zoti ia zbulon rrugëzgjidhjen më të mirë, pikërisht më të riut.








All the contents on this site are copyrighted ©.