2017-01-13 13:32:00

Kisha e Vatikanit hapur për emergjencën e të ftohtit


Për shkak të të ftohtit të madh të këtyre ditëve, që nga e shtuna, Bashkësia e Shën Egjidit ka mbajtur hapur për të pastrehët kishën e Shën Kalistit në Trastevere të Romës. Kisha dhe ambientet e saj janë pronë e Selisë së Shenjtë, ndërtuar përreth pusit ku u martirizua Papa Kalisti I, në vitin 222. Vendi aktual i kultit daton në shekullin XVII. Prej kohësh i është besuar Bashkësisë së Shën Egjidit, e cila zhvillon aty katekizmin e veprimtari të tjera, sidomos për të moshuarit e për njerëzit me probleme fizike.

Në kishë strehohen rreth 30 vetë

Gjatë kësaj jave, në kishë kanë gjetur strehë rreth 30 vetë, italianë e të huaj, të cilëve u janë dhënë shtretër me shtroja e mbuloja. Ata mund të hanë darkë në mensën e bashkësisë aty afër e pastaj mund të shkojnë në kishë për të fjetur. Në mëngjes, njerëzit largohen e në kishë vijon jeta e përditshme. Vullnetarët e Shën Egjidit po mundohen të gjejnë zgjidhje më të qëndrueshme për gjithë të pastrehët.








All the contents on this site are copyrighted ©.