Kalendari kishtar më 13 janar përkujton Shën Hilarin e Puatjesë, ipeshkëv e dijetar
i Kishës. Hilari, i lindur në Puatje të Francës rreth vitit 315, ishte pagan që kërkonte
me etje dritën e nevojshme për të gjetur kuptimin e jetës. Kërkimin e nisi në doktrinat
neoplatonike, për të arritur, më pas, tek Bibla, tek krishterimi, tek drita. Pronar
fisnik tokash, i martuar e me një vajzë, pas pagëzimit u zgjodh ipeshkëv i Puatjesë.
Luftoi herezinë ariane, duke shkruar disa vepra, më e famshmja e të cilave është ‘De
Trinitate’.
Në këtë vepër ipeshkvi shenjt mbrojti në mënyrë të pakundërshtueshme besimin në Trininë
e në Hyjninë e Krishtit. Shkroi edhe komente të shquara të Psalmeve e të Ungjillit
sipas Mateut. Por, me që arianët ishin nën mbrojtjen e perandorit Kostanci, i cili
i miratoi vendimet e sinodit arian, mbajtur në vitin 356 në Béziers, ipeshkvi i Puatjesë
u internua në Frigji, ku kaloi katër vjet.
Edhe gjatë këtyre vjetëve vijoi t’i thellojë studimet: mësoi greqishten, zbuloi veprat
e Origjenit dhe gjithë prodhimin e Etërve lindorë, duke siguruar, kështu, një dokumentim
të dorës së parë për librin ‘De Trinitate’ që i dha titullin Dijetar i Kishës. Ishte
traktati më i rëndësishëm e më i thellë i shkruar deri asokohe mbi dogmën kryesore
të fesë së krishterë.
E nuk u mjaftua me kaq: nga internimi, sulmoi me guxim të jashtëzakonshëm atë që ia
kishte në dorë vetë jetën, perandorin Kostanci, duke e kritikuar ashpër, pse pretendonte
të sundonte edhe Kishën e pse përzihej në diskutimet teologjike e në punët e brendshme
të disiplinës kishtare, të cilat nuk i takonin.
Si u rikthye në seli, ipeshkvi guximtar rifilloi veprimtarinë baritore. Pati si bashkëpunëtor
ipeshkvin e ardhshëm të Turit, Shën Martinin. Vdiq në vitin 367. Mbeti në kujtesën
e Kishës si polemist i mprehtë e guximtar, por edhe si Atë e Bari i vërtetë i grigjës
që i qe besuar. Njerëzor në luftë e më se njerëzor në fitore, mbrojti gjithnjë ipeshkvijtë
që e pranonin gabimin, duke u njohur edhe të drejtën të vijonin veprimtarinë në selitë
e tyre.
Piu IX e shpalli ‘Doktor i Kishës’. Emri Hilar vjen nga latinishtja e do të thotë
‘gëzim’. Simboli i shenjtit është shkopi baritor
All the contents on this site are copyrighted ©. |