2017-01-12 17:04:00

Urbańczyk: fetë janë leva për promovimin e paqes dhe të respektit


Paqja duhet të jetë në krye të agjendës së Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë. E pohoi imzot Janusz Urbańczyk, përfaqësues i përhershsëm i Selisë së Shenjtë pranë OSBE-së, duke folur, në Vjenë, në seancën plenare të Këshillit të përhershëm të këtij organizmi ndërkombëtar.

Forca e armëve është e rreme

Pasi kujtoi se fillimi i vitit 2017 u trondit nga një mori konfliktesh e atentatesh, imzot Urbańczyk shpjegoi se ky realitet shqetësues na nxit të veprojmë, ta refuzojmë dhunën. “Mospërdorimi i dhunës - vijoi prelati, duke kujtuar fjalët e Papës në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2017 – nganjëherë kuptohet si dorëzim, mungesë impenjimi e pasivitet, por në të vërtetë, nuk është kështu... Sepse forca e armëve është gjithnjë e rreme”.

Fetë mund t’i parandalojnë konfliktet

Selia e Shenjtë - shtoi imzot Urbańczyk - dëshiron edhe një herë të nënvizojë rolin konstruktiv e të rëndësishëm, që mund të luajnë fetë, posaçërisht në perspektivën e parandalimit të komflikteve, në favor të pajtimit edhe të rindërtimit të shoqërisë së pasluftës. Pasi u ndalua tek drama e popujve në ikje nga konfliktet, persekutimet dhe varfëria, prelati  pohoi, më pas, se shtetet e kanë për detyrë t’u sigurojnë emigrantëve dhe refugjatëve liritë themelore, sidomos, atë fetare.

Ndërmjet kritikave, intoleranca e diskriminimi

Sfidat, që duhet të përballojë  presidenca e OSBE-së e cila, që nga 1 janari, i kaloi Austrisë – tha vëzhguesi i përhershëm i Selisë së Shenjtë – lidhen gjithashtu edhe me emergjencat ambientale si dhe me kriticizmat, që ushqejnë intolerancën dhe diskriminimin ndaj myslimanëve, të krishterëve dhe anëtarëve të feve të tjera. Për delegacionin e Selisë së Shenjtë - përfundoi imzot Urbańczyk - dialogu ka rëndësi të madhe, e, po kështu, edhe bashkëpunimi ndërmjet feve për të promovuar respektin reciprok dhe paqen.








All the contents on this site are copyrighted ©.