2017-01-12 13:49:00

Kundër çdo dhune, Worl Council of Churches dënon sulmet terroriste në lindje të Mesme


Dënimi i prerë i dhunës që ka ndodhur kohëve të fundit në lindje të Mesme, në Damask, Bagdad e Jerusalem, nga ana e sekretarit të përgjithshëm të Këshillit Ekumenik të Kishave (Worl Council of Churches (Wcc), i nderuari Olav Fykse Tveit, i cili ka kërkuar nga komuniteti ndërkombëtar përpjekje më të mëdha për të arritur deri te rivendosja e paqes së mundshme në atë zonë. Një thirrje për të ndalur çdo formë të ekstremizmit, dhunës e masakrimit të njerëzve të pafajshëm, përmes të cilave po bëhen përpjekjet për të krijuar ndarje në mes popujve. “Edhe një herë – tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave – shumë njerëz që mundohet ta jetojnë jetën e tyre të përditshme në rastin e festave kanë pësuar sulme të dhunshme e të papranueshme”.

Tre qytetet e Lindjes së Mesme, vërtetë, janë goditur në të njëjtën ditë nga dhuna : “Dënojmë çdo akt terrori e dhune e sot jemi në zi për humbjen e jetës së çmuar të kaq shumë njerëzve; një zi që shoqërohet me lutjen për viktimat dhe për familjet e tyre. Sot – vijoi Fykse Tveit – duhet të jemi të bashkuar në dënimin e këtyre akteve të tmerrshme për ta shpien botën në udhën drejt paqes e drejtësisë. Me vendosmëri duhet ta ndalim dhunën e ushtruar nga ekstremistët. Popullsia e Jerusalemit ka pësuar një tjetër atentat të tmerrshëm. Një kamion, përsëri, u bë mjet dhe armë e vdekjes. Këto akte të mëtejshme të dhunës së padëgjuar – nënvizoi sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave – duhet të dënohet nga çdo qenie njerëzore, pa dallim. Jeta e çdo individi është tejet e çmuar,  katër persona kanë humbur jetën në Jerusalem, tri gra e një burrë, të gjithë njëzetvjeçar, e shumë njerëz tjerë janë plagosur, rëndë. Në Damask pesë njerëz janë vra e pesëmbëdhjetë të tjerë janë plagosur nga shpërthimi i një autobombe në periferinë e kryeqytetit. Në Irak, një tjetër autobombë ka goditur gratë, burrat e fëmijët e mbledhur në tregun e Bagdadit lindor, duke vrarë së paku dymbëdhjetë e plagosur dhjetë të tjerë”.

Fyks Tveit, siguron se World Council of Churcher është pranë njerëzve që janë goditur nga dhuna me lutje e me shpresë, të patundur, në një të ardhme në paqe, e tha akoma: “Kërkojmë në mëshirën e dashurisë e të hirit të Zotit, forcën për të vazhduar me shpresën tonë; jemi duke e bërë këtë edhe me shtegtimin tonë të drejtësisë e të paqes. Tani, është momenti për të ndërtuar një leadership ndërkombëtar të ndërgjegjshëm për të arritur deri te zgjidhjet politike për paqen e drejtësinë në këtë rajon të botës, i cili prej shumë kohësh është militarizuar e prekur (damkosur) nga traumat dhe vuajtjet”.

Ndërkaq, me rastin e World Economic Forum që do të mbahet në Davos (Zvicër) nga data 17 deri më 20 janar, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Ekumenik të Kishave, i cili – njofton riforma.it – do të marrë pjesë në punimet e forumit, tha se “është e domosdoshme të vihen si prioritet interesat kolektive të njerëzimit e të planetit tonë të vetëm. Të gjithë liderët e botës – fetarë e politikë – do të duhej të punonin për mbrojtjen e të gjithë fëmijëve të botës, do t’u duhej bërë ballë ndryshimeve klimaterike, t’i parandalonin konfliktet ushtarake dhe kështu angazhimet të ngrihen, përherë, mbi kufijtë dhe interesat kombëtar e fetar. Ne këtë mund ta bëjmë menjëherë, duke përdorur mbledhjen tonë të përvitshme si rast për të ravijëzuar së bashku një perspektivë të qartë veprimi për mbrojtjen e interesave të përbashkëta”.

Për Fykse Tweit, përgjegjësia reciproke dhe besimi janë pikat themelore për të krishterët në botë. “Kemi nevojë për urtinë e tjerëve e qëndrimet tona duhet të vihen përherë në diskutim. Këtë për t’u përgjigjur sa më mirë sfidave botërore. Të gjithë kemi nevojë të marrim mbi vete përgjegjësinë e përbashkët, të jemi familje dhe komunitete që jetojnë në një mënyrë të vetme”.








All the contents on this site are copyrighted ©.