2017-01-11 14:15:00

Që nesër, tweet i Papës për Ditën Botërore të Emigrantëve


Që nesër e deri më 15 janar, kur kremtohet Dita Botërore e Emigrantëve dhe e Refugjatëve, tweet-et e Papës do t’i kushtohen këtij argumenti. Kështu njofton seksioni, që merret me emigrantët e refugjatët në dikasterin për Nxitjen e Zhvillimit të gjithanshëm njerëzor, në fushatën e tij të parë mediatike. Kujtojmë se dikasteri udhëhiqet aktualisht nga kardinali Peter Turkson, por ky seksion, me dëshirën e Atit të Shenjtë, drejtohet prej vetë atij. Papa Françesku dëshiron të vërë në dukje shqetësimin e tij për krizën e emigracionit, që ka përfshirë krejt botën, ashtu siç nënvizoi edhe gjatë fjalimit për Trupin Diplomatik, në takimin e së hënës, në Vatikan.

Fushata e re do të përbëhet nga publikimi i reflektimeve të Papës Bergoglio për emigrantët e refugjatët përmes Twitter-it. Të dielën bie Dita e 103-të, që Kisha ua kushton këtyre kategorive nevojtare, duke i ftuar të gjithë të meditojnë mbi temën: “Emigrantët e mitur, të brishtë e pa zë”. Në një notë vatikanase shpjegohet se “shpesh, fëmijët arrijnë të pashoqëruar në vendet e emigracionit, nuk janë në gjendje ta ngrenë zërin e bëhen viktima të lehta për dhunime të rënda të të drejtave të njeriut”.

Zanafillën e kremtimit të kësaj Dite e gjejmë në Letrën Qarkore “Dhimbja dhe shqetësimi” e Kongregatës Shenjt Koncistoriale, dërguar më 6 dhjetor 1914 të gjithë ipeshkvijve italianë. Në të kërkohet, për herë të parë, caktimi i një dite në vit për të sensibilizuar opinionin mbi fenomenin e emigracionit dhe për të promovuar mbledhjen e fondeve në ndihmë të emigrantëve italianë e të formimit të misionarëve, që do të shërbenin më pas në gjirin e tyre. Pasojë e asaj letre qe kremtimi i Ditës së parë Botërore të Emigrantit e të Refugjatit, më 21 shkurt 1915.








All the contents on this site are copyrighted ©.