2017-01-11 12:31:00

Papa: shpresat e rreme shiten e blihen, e vërteta është falas


Papa Françesku mbajti sot audiencën e përgjithshme në Sallën Pali VI, duke vijuar ciklin kushtuar shpresës së krishterë. E, gjatë katekizmit, u ndalua fort tek qëndrimi i njerëzve përballë shpresave të kota, që burojnë nga idhujt e shpresës së vërtetë, asaj që nuk të zhgënjen kurrë. Shpresat e rreme shiten e blihen, e vërteta është falas – theksoi – duke e ndriçuar katekizmin me shembuj konkretë, të jetuar.

Ne na pëlqejnë idhujt. – pohoi - Madje shumë:

“Nganjëherë në Buenos Ájres, më duhej të shkoja nga një kishë në tjetrën, duke kaluar përmes një parku, ku qenë vendosur ca tryeza të vogla. Aty rrinin gjithë ditën fallxhorët . E turma e njerëzve rrinte me orë në radhë për t’i dëgjuar parafoljet e tyre. E ata flisnin gjithnjë të njëjtat fjalë: “një grua e paske në jetën tënde... edhe një hije e paske... e edhe një dritë më duket se po të afrohet... kaq ishte vegimi, që pastaj duhej paguar”.

Papa Françesku e tregoi këtë episod, duke shtuar, jashtë tekstit zyrtar:

“Kjo të jep siguri. Sigurinë e një marrëzie, që arrin deri atje, sa të të shtyjë të thuash: isha tek fallxhiu a tek vegimtarja e tani ndjehem shumë më mirë!”.

Kështu vërejti Papa, që vijoi t’u rrëfente besimtarëve të mbledhur me shumicë në Sallën Nervi:

“Kjo më kujton filmin ‘Mrekulli në Milano’. Ç’fytyrë, ç’hundë...  100 lira. Ky, po, është idhull. Shkojmë e blejmë shpresa të rreme; e ç’bëjmë, pastaj me shpresën e vërtetë, me atë, që është falas? Kësaj nuk i besojmë edhe aq shumë. Na kënaqin shumë më tepër shpresat që blihen, shpresat kalimtare, që duket se na i jep ndonjë idhull”.

E, për ta konkretizuar më tej këtë mendim, Françesku më pas citoi Psalmin 115:

“Idhujt e tyre janë argjend e ar,

Vepra të dorës njerëzore.

Gojë kanë, po s’flasin,

kanë sy, e s’shohin,

Vrimat e hundës i kanë

Po me ta nuk nuhasin.

Duart e tyre nuk prekin,

Këmbët s’u ecin,

nga gryka nuk u del

kurrnjëfarë zëri.

U bëftë si ata, kush i  thadron,

Si ata, kush u beson!








All the contents on this site are copyrighted ©.