2017-01-11 13:48:00

Papa shkon të dielën në famullinë periferike të Setteville, pranë Romës


Papa Françesku do të shkojë të dielën në famullinë e Zojës në Setteville të Guidonies, përtej periferisë romake. Vizitë, “që Papa e bën për t’i dhënë mbështetje e ngushëllim zv.famullitarit, don Giuseppe Berardino, 47 vjeçar, i cili është sëmurë rëndë nga skleroza amiotrofike laterale, që prej dy vjetësh”. Kështu shkruhet në të përjavshmen e dioqezës së Romës, “Roma Sette”.

Ati i Shenjtë Bergoglio do të kremtojë meshën në orën 16.00 me bashkësinë famullitare, e cila po përgatitet me emocion. “Nuk e prisnim – pohon don Luigi Tedoldi, famullitari i kishës së shën Marisë që prej 21 vjetësh – nuk kishim guximin të shpresonim për një vizitë në këtë ‘qoshe’ të Romës”.

Kisha e Zojës në Setteville është përuruar më 15 janar të vitit 2000, në një famulli të krijuar që para 40 vjetëve. I shërben një popullsie prej 6 mijë banorësh, 20% e të cilëve marrin pjesë aktive në jetën famullitare. “Kemi familje me shtatë fëmijë – nënvizon don Luigi. Vështirë të gjesh në këtë bashkësi familje me një fëmijë të vetëm e, në reflektimet e mia, theksoj gjithnjë se marrëdhëniet nuk lindin nga miqësitë; fëmija nuk e formon karakterin përmes miqësive, por me vëllezërit e motrat”.  

Në këtë famulli ka 8 bashkësi neokatekumenalësh, një orator, që frekuentohet nga fëmijë e të rinj të moshës nga 13 deri në 18 vjeç, të cilët drejtohen nga 20 çifte. Gjithashtu, në të bëjnë pjesë një grup skautësh të Agesci-t me rreth 100 fëmijë, një grup lutjesh të Atë Piut nga Pietrelçina dhe urdhëri i të Shenjtnueshmes Trini. Shumë aktiv, edhe Karitasi.








All the contents on this site are copyrighted ©.