2017-01-11 14:37:00

Papa në audiencën e përgjithshme: idhujt të zhgënjejnë gjithnjë, Zoti kurrë


Ta mbështesim gjithnjë shpresën në Zotin, i cili nuk të zhgënjen, e jo në idhujt, krijime të fantazisë, që të çojnë drejt vdekjes. Kjo, porosia kryesore e Papës gjatë audiencës së përgjithshme, mbajtur sot paradite në Sallën e Palit VI. Françesku, duke vijuar katekizmin kushtuar shpresës së krishterë, u tërhoqi vëmendjen besimtarëve të ruhen nga ideologjitë, nga paraja, nga kotësitë. Idhujt - kujtoi - na pëlqejnë shumë, duke harruar se edhe na zhgënjejnë shumë.

Katekizmi i Françeskut u shtjellua rreth dy poleve: nga njëra anë, shpresa e krishterë, kur e mbështesim besimin në Zotin - nga ana tjetër, rreziku  i kërkimit të strehës tek idhujt, duke krijuar idhullin me fytyrën tonë. Katekizmi i Papës e mori shtytjen nga Psalmi 115, i cili na kujton se idhujt janë të rremë; e i rremë, edhe tundimi, që i shtyn njerëzit t’u besojnë.

Nganjëherë kërkohet një “zot”, që e bën realitetin ashtu si e duam ne vetë

Të kesh fe, do të thotë të lëshohesh plotësisht në dorë të Zotit, edhe nëse arrin një çast, në të cilin, duke hasur vështirësi të mëdha në rrugën e jetës, njeriu provon brishtësinë e këtij lëshimi dhe nevojën për siguri më të prekshme. Këtë kujtoi Françesku, njohësi i thellë i natyrës njerëzore. Aty është edhe rreziku, kur tundohesh e vihesh në kërkim të ngushëllimeve kalimtare, që duket sikur ta bëjnë më të lehtë mundësinë për të besuar:

“E kështu mendojmë se mund ta gjejmë këtë mundësi, në sigurinë që të jep paraja, në lidhjet me njerëz të pushtetshëm, në mendësinë e botës, në ideologjitë e rreme. Nganjëherë vihemi në kërkim të ndonjë zoti, i cili mund t’u përgjigjet kërkesave tona e të ndërhyjë magjishëm për të na ndihmuar, që punët të shkojnë ashtu si i duam: idhull, me një fjalë, që si i tillë, natyrisht nuk mund të bëjë gjë prej gjëje, sepse krejt i pafuqishëm e gënjeshtar. Po ne na pëlqejnë idhujt, na pëlqejnë shumë!”.

Papa na kujton se duhet të rrimë larg fallxhorëve

Shkrimi Shenjt e dënon gjithnjë natyrën e rreme të idhujve, mbi të cilët njeriu rreket ta mbështesë besimin, duke i bërë objekte shprese:

“Nganjëherë në Buenos Ajres, më duhej të shkoja nga një kishë në tjetrën, duke kaluar përmes një parku, ku qenë vendosur ca tryeza të vogla. Aty rrinin gjithë ditën fallxhorët . E turma e njerëzve rrinte me orë në radhë për t’i dëgjuar parafoljet e tyre. E ata flisnin gjithnjë të njëjtat fjalë: ‘një grua e paske në jetën tënde... edhe një hije e paske... e edhe një dritë më duket se po të afrohet... kaq ishte vegimi, që pastaj duhej paguar’”.

Papa Françesku e tregoi këtë episod, duke shtuar, jashtë tekstit zyrtar:

“Kjo të jep siguri. Sigurinë e një marrëzie, që arrin deri atje, sa të të shtyjë të thuash: isha tek fallxhiu a tek vegimtarja e tani ndjehem shumë më mirë!”.

Kështu vërejti Papa, që vijoi t’u rrëfente besimtarëve të mbledhur me shumicë në Sallën Nervi:

“Kjo më kujton filmin ‘Mrekulli në Milano’. Ç’fytyrë, ç’hundë...  100 lira. Ky, po, është idhull. Shkojmë e blejmë shpresa të rreme; e ç’bëjmë, pastaj me shpresën e vërtetë, me atë, që është falas? Kësaj nuk i besojmë edhe aq shumë. Na kënaqin shumë më tepër shpresat që blihen, shpresat kalimtare, që duket se na i jep ndonjë idhull”.

Idhujt nuk janë vetëm figurat e bëra me metal. Janë edhe ata, që i sendërgjojmë me mendjen tonë, kur e krijojmë zotin sipas skemave tona, sipas ideve tona mbi hyjninë: njeriu është i aftë ta fabrikojë zotin, sipas shembëlltyrës së tij, një “zot” që i ngjet, që e kupton, që parashikon gjithçka i pëlqen vetë njeriut.

Idhujt: nga ideologjitë, tek bukuria, që e nxiti një grua të abortojë

Kështu mbështetet shpresa mbi figura memece: mbi ideologjitë, me pretendimin e tyre për të shtënë në dorë gjithçka, mbi idhullin e madh të pasurive, të kotësisë, të kënaqësive, të suksesit, me iluzionin e tyre të gjithëpushtetit. Por edhe shëndeti e bukuria mund të shndërrohen në idhuj, për të cilët, pastaj, flijohet gjithçka:

“Është gjë e keqe, e të dhemb shpirti ta dëgjosh, atë që pata dëgjuar një herë, vite më parë, në dioqezën e Buenos Ajres: një grua e mirë, shumë e bukur, që mburrej me hijeshin e saj, komentonte, si të ishte ndonjë gjë e natyrshme: ‘Eh, m’u desh të abortoja, sepse për mua pamja ka shumë rëndësi’. Këta janë idhujt. Të çojnë në krua e nuk të japin ujë, domethënë, nuk ta sigurojnë kurrë lumturinë e premtuar”.

Kush e mbështet shpresën mbi idhujt, bëhet i paaftë për të dashur

E Psalmi është shumë i qartë: po ta mbështesësh shpresën mbi idhujt bëhesh si ata:

“Nuk ke më asgjë për të thënë, bëhesh i paaftë për të ndihmuar, për t’i ndryshuar gjërat, i paaftë për të qeshur, për t’u dhuruar, i paaftë për të dashur. E edhe ne, njerëzve të Kishës, mund të na kërcënohet ky rrezik, kur kapemi pas mendësisë së botës. Duhet të mbetemi në botë, por duke u mbrojtur nga iluzionet e botës, domethënë, nga ata idhuj, që sapo i kujtova”.

Idhujt të zhgënjejnë gjithnjë, Zoti kurrë

Ndërsa idhujt të zhgënjejnë, shpresa në Zotin nuk të zhgënjen kurrë:

“Zoti kujtohet gjithnjë. Edhe në çastet më të vështira, më të këqija. Ai kujtohet për ne. E kjo është edhe shpresa jonë. E shpresa nuk të zhgënjen. Kurrë! Kurrë! Idhujt të zhgënjejnë gjithnjë, gjithnjë; janë fantazi, nuk janë realitet!”.
Ndërsa, kur beson në Zotin, bëhesh si Ai: bekimi i Zotit na shndërron në bijtë e Tij e na shpëton.

T’i njohim idhujt e t’i braktisim

Në përfundim të audiencës së përgjithshme, gjatë përshëndetjes drejtuar shtegtarëve polakë, Françesku kujtoi vëlla Albert Chmielowskin, mbrojtës i të pastrehëve dhe i të varfërve, në njëqindvjetorin e vdekjes. Shtegtarëve të gjuhës arabe u foli për idhullin e drogës, që të premton gëzimin e të rrëmben lirinë. Për të shpëtuar nga idhujt - këshilloi Papa – duhet që, së pari, t’i njohim e, pastaj, edhe të marrim guximin t’i braktisim, për ta mbështetur plotësisht shpresën në Zotin”.








All the contents on this site are copyrighted ©.