2017-01-11 00:00:00

Kardinali Erdë në Forumin katoliko-ortodoks: mohimi i Zotit nuk i shmang tensionet


“Ndrydhja e përvojës fetare nuk është rrugëzgjidhje. Tensionet nuk shmangen duke mohuar Zotin. Përkundrazi, shekullarizmi e ligështon jetën shoqërore dhe sjell gjithnjë me vete pasigurinë”. Kështu u shpreh  kardinali Peter Erdë, kryeipeshkëv i Esztergom-Budapestit, duke hapur dje, në Paris, Forumin V Evropian katoliko-ortodoks, i cili sivjet zgjodhi temën: “Evropa e frikësuar nga kërcënimet e terrorizmit fundamentalist: vlera e njeriut dhe e lirisë fetare”. Eshtë - theksoi kardinali Erdë - një nga temat më të pranishme në jetën e qytetarëve tanë në Evropë: frika, shkaktuar nga terrorizmi, me rrënjë shpesh herë në fundamentalizëm, vë në diskutim dinjitetin e njeriut dhe krijon pengesa për lirinë e vërtetë fetare, pa të cilën nuk do të ketë kurrë paqe shoqërore. Shikojmë të rritet, posaçërisht në radhët e të rinjve, dëshira e madhe për të jetuar si njerëz të vërtetë, larg kotësive. Dëshirë e mirë kjo, por që nuk duhet t’i çojë drejt fundamentalizmit e, aq më pak, drejt urrejtjes për tjetrin e terrorizmit.  Përkundrazi, siç na mëson Jezusi, duhet ta duan Zotin me gjithë zemër e tjetrin, si vetveten.

Frika, fryt i brishtësisë së qytetërimit evropian, individualizmit, konsumizmit dhe kërcënimit të jashtëm

Frika – pohoi kryeipeshkvi hungarez - vjen nga brishtësia e qytetërimit të sotëm evropian, vjen nga Evropa e individualizmit dhe e konsumizmit, por është edhe fryt i kërcënimit të jashtëm. Po kush na kërcënon? Kush na e do të keqen? Kush nuk do ta respektojë dinjitetin e njeriut? Kush nuk do të kujdeset për të? Kjo - shtoi kardinali - shpjegon pse të krishterët janë më të nevojshëm se kurrë në Evropë. Vendosëm, prandaj, t’i bëjmë këto ditë pune, kohë reflektimi dhe angazhimi, për t’u çuar kishave tona dhe besimtarëve tanë një fjalë ngushëlluese, për të përforcuar thirrjen që të jenë të pranishëm në jetën shoqërore, të mbrojnë drejtësinë, të kujdesen për të mirën e përbashkët e për dinjitetin e çdo njeriu, ta mbrojnë lirinë fetare si dhe t’u japin të gjithëve ngushëllimin e mëshirës hyjnore. (Agjencia Sir) 








All the contents on this site are copyrighted ©.