2017-01-11 17:37:00

Bauman: dialogu e solidariteti e lidhin me mendimin e Papës


Më 9 janarin e kaluar vdiq një nga personalitetet më të përmendura  të kulturës moderne polake, Zygmunt Bauman: sociolog e filozof i njohur në mbarë botën, me origjinë hebraike. Ishte 92 vjeç.

I lindur në Poznan, në vitin 1925, kaloi një jetë endacake: pas pushtimit nazist të Polonisë, iku në  Bashkimin Sovjetik, u rikthye më pas në Varshavë, për të shtegtuar përsëri në Izrael e në  Britaninë e Madhe. U vendos në Leeds ku, nga viti 1971 deri në vitin 1990 punoi pranë universitetit vendas duke dhënë lëndën e sociologjisë e duke u bërë  i njohur edhe si teoricien i të ashtuquajturës ”shoqëri likuide”. Mendimtar me formim marksist, studioi raportin ndërmjet modernizmit dhe totalitarizmit.

Veprat e tij më të njohura janë ”Modernizmi dhe Holokausti”; ”Dashuria likuide – Mbi brishtësinë e lidhjeve afektive”, ”Jeta likuide”, ”Vetmia e qytetarit global”, ”Shoqëria e paqartësisë”, ”Gjendja e krizës”, ”Për të gjitha shijet – Kultura në moshën e konsumit”, ”Të huajt te porta” e të tjera.

Mund të themi se ishte mendimtari, filozofi a sociologu – quaje si të duash – i cili e interpretoi më mirë kaosin, që na rrethon dhe pasigurinë, në të cilën jetojmë. E kjo e bëri një nga pendat më të njohura të mendimit mbi postmodernitetin, që konsiderohet si territor i paqartë, i populluar nga një ushtri konsumatorësh, që s’lënë gjë pa bërë për t’i përngjarë njëri-tjetrit. 

Veprat e tij kanë shumë rëndësi për ta kuptuar rrugën, që kemi përballë  e mënyrën si ndërron lëkurën shoqëria,  e cila duhet ta përshkojë këtë udhë.

Por ajo, që ka më shumë rëndësi për ne, siç nënvizohet në gazetën vatikanase “L’Osservatore Romano” është se mendimi i tij mbi dialogun  e solidaritetin, lidhet me mendimin e Papës Bergolio.

“Jetët e hedhura” të Baumanit, nuk mund të mos na kujtojnë kulturën e hedhurinës, denoncuar shumë herë nga Papa. E duhet kujtuar edhe se vitet e fundit sociologu polak shprehu disa herë vlerësimin e  tij për veprimtarinë e Atit të Shenjtë. Dialogu e solidariteti janë dy fjalë, që kujtohen më shpesh gjatë këtyre vlerësimeve. Dy fjalë që, ndoshta, sintetizojnë më mirë se të tjerat, udhën që, besimtarë e jo besimtarë, duhet  ta përshkojnë së bashku, edhe në të ardhmen. Do të ishte gabim i pafalshëm ta mbyllje Baumanin vetëm brenda kategorisë së modernizmit likuid, nënvizon gazeta vatikanase. Shoqëria e konsumit, sipas sociologut polak - shkruhet akoma në “L’Osservatore Romano”- e mbështet suksesin e vet mbi premtimin për t’i plotësuar dëshirat njerëzore në mënyrë të pamendueshme e të papërfytyrueshme për çdo tip tjetër shoqërie si dhe mbi një sindromë konsumistike, të bazuar kryesisht mbi shpejtësinë, mbi suksesin, mbi hedhurinën. Si përfundim, kujton Bauman, shoqëria e individualizuar likuido-moderne e konsumistike është vend ku prodhohen qenie njerëzore, të paracaktuara të përdoren si hedhurina: kryesisht refugjatët e emigrantët, të cilëve u mungon çdo mjet jetese e flaken tutje ose mënjanohen në skajet e skutat e shoqërisë, ku vlerësohen si hedhurina. Janë pikërisht këta njerëz, të cilët Papa i kujton vazhdimisht dhe përpiqet t’i shpëtojë nga ky mekanizëm shoqëror, i padenjë për njeriun. Kjo, pika e takimit ndërmjet Papës Françesku e Zygmunt Bauman, i cili shprehu mendimin e tij edhe mbi dorëheqjen e Papës Benedikti XVI, duke e shpjeguar mbi bazën e raportit ndërmjet figurës së jashtëzakonshme të Papës e asaj të zakonshme të njeriut, që përshkon të njëjtën rrugë jete si të gjithë njerëzit, nga lindja, në pleqëri.   

“Ka nga ata që janë të aftë të ecin mbi likuide, mbi troje të lëngshme – po ne jemi qenie njerëzore e kemi nevojë t’i mbështesim fort të dyja këmbët mbi toka të patundshme” – kujton filozofi Bauman.








All the contents on this site are copyrighted ©.