2017-01-10 13:52:00

Videomesazh i Papës për ndjetin e lutjes së janarit


“Për të gjithë të krishterët, që, besnikë ndaj mësimeve të Zotit, të impenjohen me lutje e bamirësi vëllazërore për të rivendosur bashkimin e plotë kishtar, duke bashkëpunuar për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të njerëzimit”: Ky është ndjeti i lutjes së Papës Françesku për muajin e janarit, që paraqitet me një videomesazh në rrjetin e Apostullimit të Lutjes.

         Në video, ndjekin njëri-tjetrin imazhet e vendeve të kultit katolik, ortodoks, protestant, me kupolat e arta karakteristike, këmbanoret tradicionale, nga të cilat këmbanat bien në festë. Ndërsa shihen të rinj e të moshuar, që u shpërndajnë ushqime e veshje të varfërve e nevojtarëve në anë të ndryshme të botës, dëgjohen fjalët e Atit të Shenjtë: “Në botën aktuale, të krishterë të Kishave të ndryshme punojnë së bashku në shërbim të njerëzve nevojtarë, në mbrojtje të jetës dhe të dinjitetit të saj, në ruajtjen e gjithësisë e kundër padrejtësive”.

Më pas, duket skena e takimit ndërmjet Papës dhe Patriarkut Bartolomeu në Tokën Shenjte, ndërsa ecin së bashku. Imazhet shërbejnë si kornizë për fjalët e Françeskut: “Kjo dëshirë për të ecur së bashku, për të bashkëpunuar në shërbimin e në solidaritetin për më të brishtët e për ata që vuajnë, është motiv gëzimi për të gjithë”.

Në video shihet më tej litari i një këmbane, kapur nga katër duar, që së bashku, i bien gëzueshëm. E ftesa e Atit të Shenjtë: “Bashkoje zërin tënd me timin për t’u lutur që të gjithë të kontribuojnë me lutje e bamirësi vëllazërore në rivendosjen e bashkimit të plotë kishtar, në shërbim të sfidave të njerëzimit”. Videomesazhi përfundon me shumë duar, që lartohen drejt qiellit. Secila përfaqëson një racë e një kulturë të ndryshme, por të gjitha synojnë bashkimin. Ashtu si të mëparshmit, edhe kjo video është përgatitur nga agjencia La Machi, në bashkëpunim me Qendrën Televizive të Vatikanit, e cila e ka regjistruar atë.

         Kujtojmë se Apostullimi i lutjes është Rrjeti botëror i lutjes së Papës, në shërbim të misionit të Kishës. Objektivi i tij është të lutet e të jetojë sfidat e njerëzimit, që shqetësojnë Atin e Shenjtë, përmes ndjeteve mujore të lutjes.








All the contents on this site are copyrighted ©.