2017-01-10 00:00:00

Trashëgimia e Papës Montini


Kushtuar temës së sigurisë e të paqes, në një kohë kur përhapet “ndjesia e përgjithshme e frikës”, fjalimi i Papës drejtuar diplomatëve të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, me 9 janar 2017, hapi përkujtimin e njëqindvjetorit të fjalimit historik të Benediktit XV, i cili e dënoi fuqimisht “kasaphanën e kotë” të Luftës I Botërore. Fundi i luftës tregoi qartë sesa e pamend qe kjo masakër, që mbolli në Evropë farë helmi, nga të cilat, më pas, mbiu e u rrit një masakër tjetër, ajo e Luftës II Botërore. E megjithatë, fjalët e Papës, shprehje e angazhimit në rritje të Kishës së Romës në favor të paqes, nuk u dëgjuan. Pasojat e tmerrshme i prekën me dorë  jo vetëm popujt e Evropës.

Që asokohe predikimi i pasardhësve të Françeskut lidhur me këtë temë tejet të rëndësishme për fatet e njerëzimit, vijoi, deri tek Papët, që bënë Koncilin, këtë stinë të ngrohtë e të begatë, e sidomos, tek trashëgimia e Montinit. Për të foli Papa Bergoglio në takimin me diplomatët e një pjese të mirë të botës, duke vënë theksin mbi veprimtarinë e Selisë së Shenjtë e, posaçërisht të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit në favor të paqes si dhe të angazhimit global. Veprimtari e matur dhe e heshtur, por njëkohësisht edhe e palodhshme dhe e  pandërprerë.

Pikërisht një gjysëm shekulli më parë, Pali VI themelonte Ditën Botërore të Lutjes për Paqen dhe nënshkruante enciklikën Populorum Progressio, të cilën Françesku e citoi, duke theksuar se nuk e ka humbur aspak vlerën, në një botë tepër të shqetë, që nuk ka mundur ta sigurojë akoma ekulibrin e duhur. “Udha e paqes kalon përmes zhvillimit” - këtë mendim lapidar të Montinit nënvizoi sidomos Bergoglio, për të kujtuar, në vijim, se paqja sot duket si pasuri e patundshme për shoqëritë, që e gëzojnë prej një kohe të gjatë, ndërsa për shumë të tjera, ajo është akoma mirazh i largët, i kapur në kthetrat e konflikteve të egra e pa pikë kuptimi.

Në këtë situatë, që herë të tjera e ka quajtur lufta e tretë botërore “copa-copa”, Bergoglio përshkroi takimet e tij me përfaqësuesit e feve të ndryshme në Asizi, me rastin e 30-vjetorit të mbledhjes, thirrur nga Gjon Pali II, e më parë akoma, në Tempullin e madh të Romës e në Xhaminë e madhe të Bakusë. Gjeste të kryera në hullitë e hapura nga Koncili II i Vatikanit, në kërkim të vazhdueshëm të takimit e të dialogut me besimtarët e tjerë e me të krishterët e konfesioneve të ndryshme, si në Lund, në Kaukaz, në Lesbo.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo është udha e vetme për t’iu kundërvënë dhunës dhe deformimit të përvojës fetare, për të cilat është përgjegjës terrorizmi me vulë fundamentaliste, që Papa e dënoi përsëri me tone të padiskutueshme. “Çmenduri vrasëse - e quajti - që, duke e shpërdoruar emrin e Zotit, mbjell vdekje, në përpjekjen për të siguruar para e pushtet. U bëri, prandaj, thirrje, të gjitha autoriteteve fetare  të bashkojnë zërat për të pohuar me forcë se “nuk mund të vritet kurrë në emër të Zotit!”.  

Terrorizmi fundamentalist është fryt i mjerimit të thellë shpirtëror e pasojë e varfërisë së padurueshme shoqërore - theksoi akoma Papa. - Prandaj, mund të zhduket vetëm me kontributin e përbashkët të liderëve fetarë e edhe të atyre politikë. Sepse të parëve u takon detyra t’u mësojnë njerëzve “frikën e Zotit e dashurinë për të afërmin”, “ndërsa të dytët duhet të garantojnë lirinë fetare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.