2017-01-10 16:39:00

Repetita iuvant: reflektim mbi fjalimin e Papës për Trupin Diplomatik


Këmbëngulës, kundër rrymës. Repetita iuvant, përsëritja ndihmon, apo siç thuhet në shqip “përsëritja është nëna e dijes”. Nuk e humb aktualitetin shprehja latine për Papën e rezistencës dhe të paqes aktive, në kuadrin, që i paraqiti dje Trupit Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Sidomos, kur, siç tha Ati i Shenjtë, “Asnjë konflikt nuk mund të shndërrohet në gjendje të zakonshme, me të cilën duket gati sikur nuk ndahemi dot”. Në gazetën e sotme “Avvenire” të Kishës Katolike në Itali, gazetarja Stefania Falasca reflekton mbi fjalimin e djeshëm të Papës, fjalim i gjatë, në të cilin Ati i Shenjtë preku plagët e botës e sidomos, denoncoi konfliktet e luftrat, që nuk i lënë popujt të zhvillohen.

A s’është vallë e ligjshme për arsyen dhe e dobishme të imagjinojmë skenarë të ndryshëm, me protagonistë gjeopolitikë, të cilët , për çështjet dhe emergjencat konkrete, e kuptojnë leverdinë dhe largpamësinë e qasjes racionale, të treguar nga Papa dhe Selia e Shenjtë? – pyet gazetarja italiane në artikullin “Repetita iuvant”.

Në përvijimin e një kuadri tërësor të gjendjes botërore, ndërsa fliste për paqen, Françesku shkoi drejt e aty ku dhemb dhëmbi. Paqe e mohuar, e vënë vazhdimisht me shpatulla për mur nga “konflikte të kota”, nga padrejtësi, nga dhuna terroriste e nga frika. Ati i Shenjtë sugjeroi kështu edhe një herë, përmes një imazhi të vetëm, aludues, lidhjet e dukshme e të padukshme, që bashkojnë e ushqejnë konfliktet e masakrat e civilëve në kllapinë e skenarit aktual ndërkombëtar, nga Libia në Siri, nga Ukraina në Palestinë, përfshirë ato ndërmjet milicive xhihadiste dhe protagonistëve gjeopolitikë, që veprojnë në zonën e Lindjes së Mesme. E më shumë se një fjalim, u la në dorë politikanëve një lloj “magna carta”, që nuk është vetëm fryt e përmbledhje e detajuar e magjisterit dhe e orientimeve të tij, të pasuara vazhdimisht nga impenjimi e nga veprimi diplomatik i Selisë së Shenjtë në fushën ndërkombëtare.

Pika kryesore është forca për ta vënë në diskutim me rrënjë e themel ekuilibrin e brishtë të asaj, që ne e konsiderojmë paqe, duke kujtuar se paqe është jeta pa shqetësime. E pikërisht këtu kuptohet çështja e asaj sigurie kaq të diskutuar të një Evrope në krizë identiteti e si rrjedhojë, edhe shtytjet shpërbërëse e populiste brenda saj. Papa Françesku është i bindur se “çdo autoritet politik nuk duhet të kufizohet vetëm në garantimin e sigurisë për qytetarët e vet – koncept, që mund të çojë lehtësisht drejt ‘jetës pa shqetësime’ -  por është i thirrur të bëhet promotor i vërtetë e veprimtar i paqes”. Sepse paqja është “virtyt aktiv”, që kërkon impenjimin dhe bashkëpunimin e çdo njeriu e të krejt shoqërisë në tërësi. Siç vinte në dukje Koncili II i Vatikanit, “paqja nuk është kurrë diçka e arritur një herë e përgjithmonë, por është një ndërtesë për t’u ngritur vazhdimisht”, duke mbrojtur të mirën e njerëzve e duke u respektuar dinjitetin. Ndërtimi i saj do të thotë, së pari, të heqësh dorë nga dhuna kur kërkon të drejtat e tua. Kështu formohet ai stil politik i mospërdorimit të dhunës, bazuar në primatin e së drejtës dhe të dinjitetit të çdo njeriu.

Kemi këtu përkimin e këtij këndvështrimi me traditën më fisnike të diplomacisë vatikanase, e cila përbëhet nga realizmi, studimi i thelluar i kuadrit dhe i problemeve për t’u përballuar, kërkimi i zgjidhjeve të mundshme. Praktikë e provuar tashmë, që jep mundësinë për të treguar qartë si mund të përballohet problemi i emigracionit nga politikat e qeverive evropiane. Edhe vetë terrorizmi mund të “zhduket plotësisht” me kontributin e përbashkët të krerëve fetarë e politikë, duke i vënë qeveritarët para “përgjegjësisë, në mënyrë që të shmangin formimin e atyre kushteve, të cilat bëhen terren pjellor për përhapjen e fundamentalizmave”. Këto përgjegjësi duhen shndërruar në “politika të përshtatshme shoqërore, që synojnë luftën kundër varfërisë dhe investime të fuqishme në fushën edukative e kulturore”. Sepse, siç është përsëritur në raste të tjera, roli i edukimit është vendimtar për bashkëjetesën paqësore të shoqërive tona, tashmë, në mënyrë të pakthyeshme, kozmopolite, shumëkulturore e shumëfetare; është parandalim për radikalizimin që të çon drejt terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Përpjekja për të aktivizuar këto procese paqeje përbën shërbimin e palodhur të Papës në kërkimin e zgjidhjeve të krizës e në pakësimin e oksigjenit për patologjinë xhihadiste. Alternativa është jeta me sëmundjen e frikës, që na dënon në një autizëm shoqëror e kulturor. Jetë me atë “frikë se mos kemi frikë”, kaq qartë përshkruar nga Zigmunt Bauman – sociologu, që ndërroi jetë dje – si “kapital i jashtëzakonshëm për ata, që duan ta përdorin për arsye politike, ose tregtare”.








All the contents on this site are copyrighted ©.