2017-01-09 16:54:00

Papa: janë 182 vendet, që kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë


Janë 182, vendet, që aktualisht kanë marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë, ndërmjet të cilave edhe Shqipëria. Këtyre shteteve u duhen shtuar edhe Bashkimi Evropian dhe Urdhëri Sovran Ushtarak i Maltës. Gjatë vitit të kaluar, më 9 dhjetor 2016, u lidhën marrëdhënie diplomatike me shtetin e 182-të, me Republikën Islamike të Mauritanisë, në nivelin e nunciaturës apostolike dhe të ambasadës.

         Në Romë e kanë selinë 88 ambasada pranë Vatikanit. Gjatë vitit 2016 u shtuan ambasada e Malezies dhe ajo e Palestinës, pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes globale ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Shtetit të Palestinës, më 26 qershor 2015. Bëjnë pjesë në 88 ambasadat romake edhe ajo e Bashkimit Evropian, e Urdhërit Sovran Ushtarak të Maltës, e Organizatës Ndërkombëtare për Emigracionin, e Komisariatit të Lartë të OKB-së për Refugjatët dhe e Lidhjes së Shteteve Arabe.

         Gjatë vitit të kaluar, kujtoi vetë Papa Françesku në takimin e sotëm me Trupin Diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë, marrëdhëniet ndërmjet Vatikanit dhe qeverive të ndryshme të botës “janë thelluar më tej falë vizitave të shumë krerëve të shteteve dhe të qeverive, edhe në përkim me ngjarjet e shumta që karakterizuan Jubileun e jashtëzakonshëm të Mëshirës, i sapopërfunduar”. E Ati i Shenjtë rreshtoi marrëveshjet dypalëshe, të nënshkruara ose të ratifikuara, si ato me karakter të përgjithshëm për njohjen e statusit juridik të Kishës në Republikën Demokratike të Kongos, në Republikën e Afrikës Qendrore, në Benin e në Timorin Lindor, ashtu edhe ato me karakter më të veçantë si “Avenant” i nënshkruar me Francën, ose Konventa për çështje fiskale nënshkruar me Republikën e Italisë. Këtyre u shtohet Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit dhe qeverisë së Emirateve të Bashkuara Arabe, nënshkruar më 15 shtator.

Përveç kësaj, në perspektivën e impenjimit të Selisë së Shenjtë për të repsektuar detyrimet e parashikuara nga marrëveshjet, është zbatuar plotësisht “Comprehensive Agreement” me Shtetin e Palestinës, që hyri në fuqi para një viti.

Së fundi, siç saktëson më tej një komunikatë vatikanase, më 19 shtator 2016, Selia e Shenjtë pranoi, edhe në emër e për llogari të Shtetit të Vatikanit, Konventën e Kombeve të Bashkuara kundër korrupsionit, që mban datën 31 tetor 2003.








All the contents on this site are copyrighted ©.