2017-01-09 17:28:00

Manila: miliona besimtarë në procesionin e Nazarenit të Zi


Sot paradite më se një milion e gjysëm besimtarë filipinas u dyndën në rrugët e kryeqytetit Manila, për të marrë pjesë në procesionin e Nazarenit të Zi. Çdo vit shtatorja qindravjeçare prej druri e Krishtit, ecën përsëri  në udhët e qendrës së metropolit, e pritur dhe e përcjellë, në kalim, nga besimtarë e turistë në lutje, për të kërkuar hire ose mrekulli për nevojat e panumërta, që ka çdo njeri në rrjedhën e vështirë të jetës. Gjatë gjithë ditës, në këtë ngjarje të madhe fetare, morën pjesë më se 18 milionë vetë.

Masa të rrepta sigurie. Rreth njëqind të plagosur lehtë

Për të parandaluar aksidentet ose atentatet, autoritetet morën masa të rrepta sigurimi e edhe ambasadat e huaja i porositën bashkëqytetarët për maturi. Rreth 4 mijë ushtarë e policë patrulluan në rrugët e kryeqytetit. Burime të Kryqit të Kuq vendas flasin për rreth njëqind të plagosur lehtë: bilanc më i mirë, në krahasim me një vit më parë, kur u  plagosën më se 1200 vetë, që ndiqnin karrocën, shtyrë nga pas e tërhequr me litarë, mbi të cilën  vendoset shtatorja e Nazarenit të Zi. Besimtarët, si zakonisht, u mblodhën me shumicë rreth Jezusit, me shpresë se do të mund ta preknin e, prej këndej, edhe plagosjet e lehta. Kujtojmë se në Filipine, komb aziatik me shumicë katolike, më se 80% e rreth 100 milionë banorëve është në bashkim me Romën. Ish-kolonia spanjolle njihet për kremtimet me karakter fetar e procesioni i “Nazarenit të Zi” është nga më të famshmit e më të ndjekurit nga turma njerëzish, pa dallim besimi.

Historia e shtatores së mrekullueshme

Shtatoren e Nazarenit të Zi, që e paraqet Krishtin të përkulur nën barrën e Kryqit, e solli në Manilë një rregulltar agostinian spanjoll, në vitin 1607, ngarkuar mbi një anije, ardhur nga Meksiko. Sipas traditës, gjatë lundrimit, anija mori flakë, por shtatorja shpëtoi mrekullisht nga zjarri. Dëmi i vetëm që pësoi ishte se doli nga zjarri krejt e zezë. Pavarësisht nga dëmtimi, popullsia e Manilës vendosi ta ruante e ta nderonte shtatoren, e cila që asokohe u quajt “Nazareni i Zi” e shumë njerëz dëshmuan se, si e ndoqën në rrugët e Manilës me lutje, rifituan shëndetin e humbur vetëm duke prekur kindet e petkut të Zotit. Si në kohët kur Krishti i gjallë ndiqej nga qindra nevojtarë nëpër rrugët e Jeruzalemit.

Shtatorja është një nga simbolet e popullit filipinas

Në shekuj fryma e mrekullisë, që e rrethon shtatoren  e Krishtit, e ka bërë një nga simbolet e popullit filipinas. Në këto vite  ipeshkvijtë i dhuruan një kopje të saj të krishterëve të Mindanaos, tepër larg për të marrë pjesë masivisht në procesionin e Quiapo. Kremtimet mbahen në Cagayan de Oro, njëkohësisht me kryeqytetin, më 9 janar, festë e Nazarenit, si dhe të Premten e Madhe.

Kardinali Tagle: dashuria e Zotit është gati t’i përqafojë të ligshtit dhe mëkatarët

Kremtimet i hapi kryeipeshkvi i Manilës, kardinali Luis Antonio Tagle, që kryesoi Meshën solemne të mesnatës. Gjatë homelisë, Hirësia e Tij theksoi  vlerën e dashurisë pa interes, që i zhduk egoizmin dhe intersat personale. Për të dashur, ashtu si deshi Jezusi - vijoi kardinali – duhet të vihesh gjithnjë në shërbim të të tjerëve. Vetëm një dashuri e tillë mund t’i  bashkojë familjet, famullitë, qytetet e mbarë vendin. Pagëzimi i Jezusit - vijoi të shpjegojë kardinali Tagle - tregon konkretësinë e dashurisë së Zotit, që shkoi t’i takojë mëkatarët e na dëftoi të gjithëve fytyrën e tij njerëzore. “Ky është tipi i dashurisë - përfundoi kryeipeshkvi i Manilës -  gati për t’i përqafuar, e jo për t’i dënuar  të varfërit, të ligshtët, mëkatarët. Ajo që ka vlerë të vërtetë, është e mira e të tjerëve”.








All the contents on this site are copyrighted ©.