2017-01-07 18:42:00

Vatikan: në shkurt, një kuvëndim për trafikun e organeve


Më 7 e 8 shkurtin e ardhshëm, në Shtëpizën e Piut V, në Vatikan, do të mbahet një kuvëndim kushtuar trafikut të organeve dhe të ashtuquajturit  “turizmi i trapianteve”. Në këtë ngjarje, organizuar nga Akademia Papnore e Shkencave - njofton kanali i internetit pranë Selisë së Shenjtë “Il Sismografo” - do të marrin pjesë specialistë të ardhur nga më se 20 vende, që do të diskutojnë për këtë  plagë, të cilën edhe Vatikani e shikon si emergjencë në rritje. Prej këndej, hartimi i një deklarate, që do të shpërndahet në nivel botëror.

Nëpunës shteti e taksash, hetues, gjykatës, gazetarë do të marrin pjesë në këtë kuvëndim, që synon të skicojë vijat e reja udhëheqëse për t’i vënë pritë një praktike kaq kriminale, gjithnjë më të përhapur në vendet e varfëra, ku një farë modeli i globalizimit krijon  pabarazi të reja shoqërore  e ku shpesh vijojnë të përhapen forma të reja shfrytëzimi, si ai seksual dhe i punës së të miturve. Punimet do të mbahen në gjashtë grupe, mbi bazë zonale (Amerika, Afrika, Evropa, Mesdheu lindor, Paqësori perëndimor dhe Jug-Lindja aziatike).

Trafiku i organeve dhe ai i njerëzve me synim sigurimin e trapianteve, janë tema që Papa Françesku i kujton vazhdimisht, duke i quajtur forma të reja të skllavërisë së shekullit XXI. Prej këndej, edhe Papa u ftua të marrë pjesë  në takimin e ardhshëm, ftesë së cilës pritet që Françesku t’i përgjigjet me praninë e tij ose me një mesazh, për të përuruar punimet e konferencës.








All the contents on this site are copyrighted ©.