2017-01-06 14:32:00

Në Festën e Dëftimit të Zotit, procesioni tradicional Rroftë Befana


Sot, në Rrugën e Pajtimit mijëra  shtegtarë, besimtarë e turistë ndoqën me emocionin dhe entuziazmin e përvitshëm, procesionin tradicional historiko-folklorik “Rroftë Befana”,  që arriti në Sheshin e Shën Pjetrit për të marrë pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën. Në mikrofonin tonë, Sergio Balestrini, kryetar i Europae Fami.li.a:

"Procesioni sivjet pati përmasa vërtet të mëdha, si në aspektin folklorik, ashtu edhe në atë simbolik. U nis në orën 10.10 nga kreu i udhës,   edhe ajo me emër simbolik “Via della Conciliazione” - Udha e Pajtimit - e u drejtua ngadalë, duke krijuar skena të kohës së Krishtit, me ngjyrim të fortë lokal, kah Sheshi i Shën Pjetrit. E sivjet ishte më i rëndësishëm sesa vitet e tjera,  sepse në të  morën pjesë pesë komuna të territorit të Umbrias (ndërmjet të cilave, edhe  Acquasparta, zonë krejt në kufi me epiqendrën e tërmetit): domethënë, qytete, që vijojnë të jetojnë të pushtuar nga frika. Nga këto pesë qytete u  frymëzua, sipas traditës, procesioni apo kortezhi “Rroftë Befana”. Ne çdo vit ndërrojmë qytet, sepse e përfytyrojmë Jezusin në universalitetin e Festës së Dëftimit para popujve të tokës. Prej këndej, çdo vit lind simbolikisht në një vend të ndryshëm, prej nga  vijnë edhe Tre Mbretërit Dijetarë.  E, natyrisht, edhe shumë fëmijë të veshur me rroba të epokave të ndryshme, që duken sikur dalin nga faqet e një libri historie. Pikërisht për t’i kënaqur fëmijët, për herë të parë disa prej tyre parakaluan mbi një karrocë të njëmijë e pesëqindës, të tërhequr nga një kalë Shire, shumë i rrallë në Itali, me peshë mbi njëmijë kilogram. E gjithnjë për kënaqësinë e fëmijëve parakaloi edhe një kalë tejet i vogël, as 55 kilogram.  Karakteristike për këtë vit ishte pjesëmarrja e famfarës së Armës të  karabinierëve mbi kuaj. Deshëm të festonim, kështu, Familjen e Nazaretit. Prej këndej, edhe dhuratat që i çuam Papës, nga Familja Shenjte frymëzoheshin: i çuam një skulpturë metali, e pastaj, lulishtarët e Shën Gjeminit kishin realizuar një kuadër shumë të bukur me petale lulesh, që ia dhuruan Atit të Shenjtë. Ne mendojmë se këto ishin dhuratat më të bukura  e më shprehëse të procesionit tonë, me temë: “paqe, solidaritet, vëllazërim ndërmjet popujve” .








All the contents on this site are copyrighted ©.