2017-01-06 14:36:00

Dëftimi i Zotit: besimtarët si Mbretërit, nxiten nga malli për Zotin, jo nga kulti i vetvetes


“Mbretërit Dijetarë, të vënë për udhë nga dëshira për të takuar Zotin, të kundërshtuar nga Herodi, i mbyllur në kultin e vetvetes e të fitores me çdo kusht”. Këto, dy figurat, në qendër të homelisë së Papës, mbajtur gjatë Meshës, kryesuar sot paradite në Bazilikën e Vatikanit, në Solemnitetin e Dëftimit të Zotit. Françesku nënvizoi se shtegtimi më i vështirë, që bënë Mbretërit Dijetarë, ishte ai që i çoi tek zbulimi se Mbreti të cilin po shkonin për ta adhuruar, nuk të skllavëron, as nuk të poshtëron, përkundrazi, të fal e të shpëton. Duhet vetëm ta kesh zemrën e hapur e jo të  anestetizuar, si zemra e Herodit.

Sa  larg është për disa Jeruzalemi nga Betlehemi, aq larg është Herodi që fle, nga Tre Mbretërit e zgjuar, për udhë. Në qendër të Meshës, kryesuar nga Papa në Bazilikën gjithnjë mahnitëse të Shën Pjetrit në Vatikan, shoqëruar nga kori i Kapelës Sikstine, ishte homelia, kushtuar dy veprimeve të Mbretërve Dijetarë, sipas rrëfimit të Shën Mateut. Ata po shtegtonin, “për ta parë” e “për ta adhuruar” Mbretin e Mbretërve.

Mbretërit dijetarë e shohin yllin, sepse për udhë, në kërkim të Zotit

Tre Mbretërit Dijetarë nuk u vunë për udhë, sepse panë yllin - shpjegoi Papa duke cituar Shën Gjon Gojartin - ylli, në të vërtetë, nuk shndriste në mënyrë të veçantë, e as ata nuk kishin ADN të posaçme për ta zbuluar, por e panë yllin, sepse qenë vënë për udhë, domethënë e kishin zemrën të hapur për të parë horizonte të reja:

“Mundën ta shikojnë atë, që u dëftonte qielli, sepse kishin në zemër një dëshirë, që i shtynte e sepse zemra e tyre ishte e hapur për të pritur të renë.  E kështu, Mbretërit kthehen në simbol të njeriut besimtar, njeriut që ka dëshirë, ka mall për Zotin; njeriut që e ndjen mungesën e shtëpisë së tij, të atdheut qiellor. Pasqyrojnë, kështu, figurën e të gjithë njerëzve, zemrat e të cilëve nuk flenë kurrë, rrinë gjithnjë zgjuar”.

Malli për Zotin kundër determinizmit dhe profetëve të gjëmëve

Malli i shenjtë për Zotin - shpjegoi Françesku -  është ai, që na i hap sytë përballë përpjekjeve për ta kufizuar e për ta varfëruar jetën, është kujtesa besimtare, që rebelohet përballë profetëve të gjëmëve e që frymëzoi një mori figurash ungjillore. Figura, që Papa i kujtoi gjatë homelisë, duke nisur nga Simeoni, të cilin ky mall e nxiti të shkonte ditë për ditë në Tempull, i sigurt se, para vdekjes, do ta mbante në krahë Shëlbuesin; e  nxiti djalin plangprishës të kthehej rishtas tek i ati; e nxiti bariun t’i lërë në mëshirën e fatit nëntëdhjetë e nëntë delet, për të kërkuar të humburën. E është malli shenjt për Zotin, që e shtyu Marinë Magdalenë, në agimin e Pashkëve,  të ngarendë tek varri, për ta  kërkuar Mësuesin:

“Malli për Zotin na bën të dalim nga gjerdhet tona deterministike, ato që na shtyjnë të mendojmë se në këtë botë nuk ka asgjë të re, se asgjë nuk  mund të ndryshohet. Malli për Zotin, që i copëton konformizmat e trishta e na nxit të angazhohemi për atë ndryshim, për të cilin kemi etje e nevojë. Malli për Zotin i ka rrënjët në të kaluarën, por nuk ndalet kurrë, është gjithnjë në kërkim të ardhmërisë”.

Besimtari në kërkim të Zotit, si lypësi në vijën e kufirit

Besimtari i përmallur - vijoi Papa - i nxitur nga feja e tij, niset në kërkim të Zotit, ashtu si Mbretërit Dijetarë në viset më të veçuara të historisë, sepse, në zemër të vet, e di se atje po e pret Zoti:

“Shkon në periferi, në vijën e kufirit, në viset ku nuk ka shkelur akoma Ungjilli, për ta takuar atje Zotin: e këtë nuk e bën me sjellje epërsie, e bën si lypës, që nuk mund të mos i shikojë sytë e atij, për të cilin Lajmi i Mirë është ende truall për t’u zbuluar”.

Herodi fle me ndërgjegjen e shkrumbuar, i zhytur në kultin e fitores

Krejt e kundërt me sjelljen e njeriut në kërkim - shpjegoi Papa -  është ajo e njeriut që, si Herodi, ndërsa Tre Mbretërit vijonin udhën, pak më larg nga Betlehemi, flinte i zhytur në gjumin e ndërgjegjes  së  djegur e që, edhe në gjumë, tronditet, trembet:

“Është tronditja e njeriut i cili, përballë risisë që e revolucionarizon historinë, mbyllet në vetvete, në rezultatet e veta, në njohuritë e veta, në sukseset e veta. Tronditja e atij, që rri ulur mbi pasuritë e nuk mund të shikojë më përtej. Tronditja e lindur në zemrën e atij, që dëshiron t’i kontrollojë të gjitha e të gjithë. Tronditja e atij, që është zhytur në kulturën e fitimit me çdo kusht, në atë kulturë, ku ka vend vetëm për fitimtarët, me çdo çmim”.

Tronditje, pra, e cila lind nga frika përballë asaj, që vë në rrezik siguritë tona, mënyrat tona të kapjes fort pas botës e pas jetës. E provoi Herodi që, prandaj shkoi ta kërkojë sigurinë në krimin kundër fëmijëve të pafajshëm.

Zoti deshi të lindë ku nuk e prisnim e ku, ndoshta nuk  e dëshirojmë

Veprimi tjetër i Mbretërve Dijetarë, sipas rrëfimit të Ungjijve - është “adhurimi”. Ata arritën nga Lindja - kujtoi Françesku – në një Pallat, domethënë, pikërisht në vendin e përshtatshëm për një mbret, shenjë e fuqisë, e suksesit, e jetës së realizuar me fund; vend i idhujve, të cilët i adhurojmë, por që premtojnë vetëm trishtim e skllavëri. E pikërisht aty, në këtë Pallat  - nënvizoi fort Papa -  për Mbretërit nisi shtegtimi më i gjatë, aty u desh guximi më i madh, ai i zbulimit se çka po kërkonin, nuk ishte aty, në pallat, por gjindej në një vend tjetër, jo vetëm gjeografik, por edhe, e kryesisht, ekzistencial; u desh guximi i zbulimit të një Zoti, që dëshiron të duhet vetëm nën shenjën e lirisë, e jo të tiranisë:

“Të zbulonin se shikimi i këtij Mbreti të panjohur - por të shumëdëshiruar -  nuk poshtëron, nuk skllavëron, nuk burgos. Të zbulonin se shikimi i Zotit të ngre përsëri në këmbë, të fal, të shëron. Të zbulonin se Zoti deshi të lindë atje, ku nuk e prisnim e ku, ndoshta, nuk dëshirojmë. Ose, ku shumë herë, edhe e mohojmë. Të zbulonin se në sytë e Zotit ka vend për të fundmit, të plagosurit, të lodhurit, të keqtrajtuarit, të braktisurit; se forca e tij e pushteti i tij quhen mëshirë! Sa larg është, për disa, Jeruzalemi nga Betlehemi!”.

Kulti i vetvetes të pengon t’ia hapësh zemrën Zotit

Herodi, pra - përfundoi Françesku - nuk mund të adhurojë, sepse nuk deshi, as nuk mundi ta ndryshojë shikimin e tij, nuk deshi të hiqte dorë nga adhurimi i vetvetes, e si ai, edhe priftërinjtë, nuk mund ta adhuronin, ngaqë, ndonëse i njihnin mirë profecitë, nuk ishin të gatshëm as të ecnin e as të ndryshonin. Të dyja palëve, edhe një herë, u kundërvihen fort Dijetarët:

“Ishin mësuar, ishin pështirosur, ishin lodhur nga Herodët e kohës së tyre. Por atje, në Betlehem, ishte premtimi i risisë, premtimi i shpëtimit, pa asnjë shpërblim. Atje po ndodhte diçka e re. Dijetarët mundën ta adhuronin, sepse e morën guximin të ecnin e të përkuleshin në adhurim para vogëlsisë, para të varfërit, të përkuleshin para të pambrojturit. Të përkuleshin para Fëmijës së pazakontë e të panjohur të Betlehemit, ku zbuluan Lumninë e Zotit”.  








All the contents on this site are copyrighted ©.