2017-01-05 16:52:00

Mesha e Papës në Vatikan në solemnitetin e Epifanisë


Në solemnitetin e Epifanisë a të Dëftimit të Zotit, Papa Françesku, nesër më 6 janar, në ora 10.00 do të kryesojë Meshën e Shenjtë në Bazilikën e Vatikanit. Në ora 12.00 do të vazhdojë me lutjen e Engjëllit të Tënzot, në sheshin e Shën Pjetrit.

Në Ungjillin e solemnitetit të Dëftimit të Zotit, tregimi i Dijetarëve, ardhur nga lindja në Betlehem për të adhuruar Mesinë e fshehur në një foshnje të vënë në grazhd, i jep kësaj feste një frymëmarrje universale: “Kjo – pati thënë Papa Françesku më 6 janarin e vitit të kaluar – është frymëmarrja e Kishës, e cila dëshiron që të gjithë popujt e tokës të mund ta takojnë Jezusin, ta përjetojnë dashurinë e tij të mëshirshme. Kjo është dëshira e Kishës: ta gjejnë mëshirën e Jezusit, dashurinë e tij”.

Krishti posa ka lindur, nuk di akoma të flasë, e të gjithë popujt – të përfaqësuar nga Dijetarët – veç mund ta takojnë, ta njohin, ta adhurojnë. Kisha – shpjegoi Papa – në Dijetarët ka parë përherë “imazhin e mbarë njerëzimit” dhe me “festën e Epifanisë dëshiron gati gati t’i tregojë plot respekt çdo burri e çdo gruaje të kësaj bote Foshnjën që ka lindur për shpëtimin e të gjithëve”.

Për Kishën – vëren Papa Françesku  “të jesh misionar nuk domethënë të bësh prozelitizëm” por thjeshtë “të jesh i ndriçuar nga Zoti e të reflektosh dritën e tij”. Ky është shërbimi saj: “të bëjë të shkëlqejë drita e Krishtit”: shumë njerëz e presin nga Kisha këtë impenjim misionar, sepse kanë nevojë për Krishtin, kanë nevojë ta njohin fytyrën e Atit”.

Dijetarët – nënvizon Papa Françesku – “janë dëshmi e gjallë e faktit se farërat e së vërtetës janë të pranishme kudo, sepse janë dhuratë e Krijuesit, i cili na thërret të gjithëve ta njohim si Atin e mirë e besnik.(..) Para Jezusit nuk ekzistojnë më ndarjet e racës, të gjuhës e të kulturës: në atë Fëmijë, mbarë njerëzimi gjen njësimin e vet. E Kisha ka për detyrë të njohë e të bëjë të dalë në mënyrën sa më të qartë dëshira për Zotin që çdonjëri bartë në vete”.








All the contents on this site are copyrighted ©.