2017-01-04 11:33:00

Atë Fornos: Françesku përtërin e inkurajon ndjetet e lutjes


Do të botohet më 9 janarin e ardhshëm një video kushtuar ndjeteve të lutjes mujore të Papës, përqendruar këtë muaj tek tema e angazhimit të krishterë për sfidat e njerëzimit. Pikërisht një vit më parë pati filluar nisma “Videot e Papës”,  për t’i dhënë një hov të ri ndjeteve të lutjeve mujore. Për një bilanc dhe disa të reja lidhur me këtë nismë të ungjillëzimit të ri, që sapo e mbushi vitin, intervistuam atë Frédéric Fornos, drejtor ndërkombëtar i Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës:

E jashtëzakonshme. Mrekulli: shihet qartë se Zoti po e çon përpara, sepse, me të vërtetë, nuk e prisnim që turma njerëzish ta vizualizonin videon e Papës. Për ne kishte rëndësi ta ndihmonim Papën të kishte një mjet, për të arritur tek njerëzit, për t’i ndihmuar katolikët, por edhe të gjitha gratë e burrat vullnetmirë, të luten me të, për sfidat e mëdha të njerëzimit. Pas 12 muajsh numërojmë 13 milionë vizualizime të “Videos së Papës” vetëm në rrjetet tona, këtu, në Vatikan. E po të kemi parasysh  më se 3.200 mediat e botës, që flasin, që i përhapin videot e Papës çdo muaj, atëhere shifra është edhe më e madhe: janë miliona njerëz në mbarë botën, që e shikojnë, për shembull, edhe përmes Whatsapp. Para pesëmbëdhjetë ditësh isha në Vietnam; këtu takova të rinj, që m’i tregonin videot e Papës përmes  Whatsapp-it.

 Është Papa vetë, që na kërkon të lutemi, por me një mënyrë shumë të re, që arrin edhe tek të rinjtë, të cilët mbase nuk do të mund t’i merrnin këto mesazhe me rrugë të tjera…

 Po, kjo Video mund të ndiqet nga i gjithë rrjeti social në dhjetë gjuhë: Youtube, Facebook, Twitter, Instagram; për këtë arsye arrin edhe tek shumë të rinj. Siç e dimë, të rinjtë kërkojnë figura, video... Kjo është gjuha, me të cilën flet bota e sotme. E kjo gjuhë krijon mundësitë që shumë njerëz t’i njohin shqetësimet e Atit të Shenjtë lidhur me misionin e Kishës, me sfidat e njerëzimit: na bën, kështu, të ndjehemi të bashkuar.  Kemi marrë edhe shtatë çmime: i fundit, çmimi “Bravo”, nga ana e Konferencës ipeshkvnore spanjolle. Është çmim për punën e realizuar së bashku me agjencinë Maci – agjenci e komunikimit, që e ndihmon shumë këtë nismë - si dhe me Sekretarinë e Selisë së Shenjtë për Komunikimin. Vërtet projekt i madh, i jashtëzakonshëm për ne. Në fillim pata menduar se projekti do të vijonte vetëm  gjatë Jubileut të Mëshirës, për t’i ndihmuar katolikët - si projekt për ungjillëzimin - por edhe njerëzit larg nga Kisha, që t’i njohin ndjetet e Atit të Shenjtë e të Kishës universale në Vitin e Mëshirës. Shtatorin e kaluar u takova me Atin e Shenjtë gjatë një audience private e më tha se ishte shumë i kënaqur nga ky projekt e se donte ta çonte përpara edhe gjatë vitit 2017. Prej këndej, po punojmë për ndjetet e lutjes të 2017-tës.

Më 9 janar do të botohet video e parë e 2017-tës. A mund të njihemi paraprakisht me ndonjë risi për këtë vit, lidhur me ndjetet e lutjes së Papës?

Po, është një gjë e re. Deri tani, për më se njëqind vjet, çdo muaj ishin dy ndjete lutjeje, që Papa ia besonte Rrjetit të tij botëror të uratës; një ndjet i përgjithshëm e një misionar. Me reformën e parë u quajtën “ndjeti universal” e “ndjeti për ungjillëzimin”. Në procesin e reformës të këtij shërbimi kishtar të Selisë së Shenjtë, u bë një ndryshim: do të ketë një ndjet universal e një për ungjillëzimin, që do të këmbehen   çdo muaj; një muaj do të jetë ndjeti universal e muajin tjetër, ndjeti për ungjillëzimin. Kjo do të thotë se për çdo muaj do të kemi një ndjet, një orientim për jetën tonë e për misionin e Kishës e, muajin e mëpasëm, një ndjet universal për ungjillëzimin. Për pasojë, dy videot do të kenë stile të ndryshme. Do të ketë edhe një ndryshim tjetër: Papa Françesku do të na besojë, në fillim të çdo muaji, në lutjen e parë të Engjëllit të Tënzot, një ndjet lutjeje “të minutit të fundit”, më urgjentin, lidhur me aktualitetin, me atë që ndodh atë çast në botë, me vuajtjet ose me sfidat e mëdha, që e shqetësojnë Atin e Shenjtë, Kishën dhe misionin e saj. Prej këndej, në krye të çdo muaji, do të na e besojë këtë ndjet, që të mund të lutemi së bashku me të tërë Kishën; e, gjithë kjo, edhe për të na ndihmuar të dalim nga globalizimi i indiferencës, për t’i hapur zemrën kulturës së takimit, udhën të tjerëve e shtigjet e reja, kësaj bote, që po lind!








All the contents on this site are copyrighted ©.