Shumë. Më se 50 mijë, besimtarët e mbledhur dje në Sheshin e Shën Pjetrit që, në një ditë të ndritshme dimërore, morën pjesë në lutjen e Engjëllit të Tënzot me Papën. E turmat e shtegtarëve vijojnë të dynden drejt këtij Sheshi, zemër e krishterimit e simbol botëror i Festave të mëdha të dimrit, me Shpellën e Betlehemit e Bredhin vigan të Krishtlindjes në mes. Festat nuk kanë përfunduar. Tani këtu pritet të arrijnë Tre Mbretërit Dijetarë…Në këtë atmosferë ne, duke u përzjerë me turmën në festë me mikrofonin tonë, mblodhëm disa zëra, që i urojnë Viitn e Ri 2017 Papës e mbarë botës:
- Urimi im është natyrisht që të gjithë të jemi më pak egoistë e të kënaqemi me atë, që kemi. Politikanëve u uroj të jenë më të ndershëm, më parë me ndërgjegjet e tyre, pastaj edhe me qytetarët.
- Qoftë një vit më i mbarë se ai që kaloi, posaçërisht në frontin sirian; besoj se paqja mund të sigurohet! Por me angazhim ama, e jo vetëm të politikanëve italianë, por të mbarë botës e, sidomos, të atyre rusë e amerikanë.
- Po t’i kishe këtu, para teje, ç’do t’u thoshe?
- Ja, t’i japin fund shitjes së armëve! Ndoshta tingëllon si utopi. Por utopi a jo, kjo duhet bërë…
- Në botë ka shumë vende në luftë, e edhe ne duhet të luftojmë. Për paqen, natyrisht! Si mendoni se mund të fillohet kjo luftë? E nga duhet t’ia nisim?
- Sipas meje duhet bërë një rrëmim i vërtetë i ndërgjegjes. E kjo do të thotë se çdo njeri, posaçërisht liderët, ata që i prijnë botës – duhet ta kuptojnë se kështu nuk mund të shkohet më përpara!
- Por, megjithëkëtë, siç na kujton Françesku, shpresa nuk duhet humbur, sado e rëndë të jetë situata…
- Jo, nuk duhet humbur. Absolutisht. Duhet të shpresojmë, gjithnjë!
- Cili është urimi juaj për këtë vit, që shpresojmë të vijë me paqe?
- Uroj që njerëzit të mësohen ta duan njëri-tjetrin. A ka gjë më të mirë se dashuria, nëse duam të gëzojmë sadopak paqe në këtë botë?
- Prej nga duhet të nisemi, për ta siguruar paqen?
- Duhet të nisim duke i dhënë të hajë mëngjesin atij, që nuk e ka, t’i japim një pjatë me gjellë të ngrohtë, sepse, siç po e shikoni, bën ftohtë…
- Ç’mund të na thoni për indiferencën, për të cilën flet Françesku?
- Ja, të fillojmë të mendojmë se nuk jemi vetëm ne në botë, është edhe tjetri.
- Ju, a shpresoni në një vit me paqe, me më shumë paqe?
- Natyrisht: të gjithë shpresojnë! Si mund të jetosh pa shpresë?
- Përveç shpresës, si mund të ndërtohet paqja. Nga mund e duhet t’ia nisim?
- Duke ndihmuar njerëzit që kanë nevojë, apo jo?
- Eh, mendoj se gjithçka duhet ta nisim në radhë të parë nga vetvetja, nga njerëzit e thjeshtë…
- Një përshëndetje Papës?
- Shumë urime!
- Të duam shumë!
- (një fëmijë) Urime Papë! Rroftë paqja në botë!
All the contents on this site are copyrighted ©. |