2016-12-31 00:00:00

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Shën Marisë, Nënës së Zotit.


Më 1 janar fillojmë një Vit të Ri pranë Marisë, Nënës së Zotit. Është festa liturgjike më e lashtë e nderimit të saj nga të krishterët. Ajo, që na ka dhuruar Jezusin, ndërmjetësoftë për ne pranë Hyjit për dhuratën e bekimit hyjnor dhe për të gjitha të mirat shpirtërore e trupore, ndërmjetësoftë për dhuratat e Krishtlindjes që janë dashuria e paqja. E po kujtojmë se më 1 janar 2017 bie Dita e 50-të Botërore e Paqes.

Kështu, në ditën e parë të vitit të ri, shkëmbejmë me përzemërsi njëri me tjetrin urimet e mbarësisë e të prosperitetit: ato na vijnë para se gjithash nga Bekimi i Aronit që i kërkon Hyjit të na mbrojë e të bëjë të shkëlqejë fytyra e vet në ne. E Zoti e dëgjoi këtë lutje përmes Birit të vet të Mishëruar. Maria, iu bindë vullnetit të Atit Qiellor, e qiti në dritë personin e Fjalës dhe për këtë mund ta lusim me plotë të drejtë me titullin e lartë e të madhërishëm (fisnik) të “Nënës së Zotit”.

Amësia e saj e ka karakterizuar dhe shënjuar thellësisht ekzistencën e Marisë Virgjër, e cila jetoi krejtësisht në lidhje me të Birin, Jezu Krishtin, në gëzime e po kështu edhe në dhimbje; Maria ka mbajtur në kujtesë çdo fjalë e gjest të Jezusit, duke medituar e ruajtur gjithçka në zemër të saj, e pastaj e ka ndjekur Atë deri në gjestin e flijimit të Tij suprem në mundime e në vdekje mbi kryq. Në Marinë ne shohim pra imazhin e Kishës e të sjelljes që duhet të ketë çdo dishepull i Jezu Krishtit, për të bashkë-ndarë të njëjtin lavd në ringjallje, shenjë, shembull e parashijim i së cilës është vetë Maria.

Maria e ka jetuar gjithmonë amësinë e vet në fe, duke qenë përherë e vëmendshme ndaj shenjave të Zotit. Edhe emri i Jezusit (=Hyji shpëton) është shenjë e misionit të tij shpëtimprurës për gjithë njerëzit. 

Programi i ditës së fundit të vitit 2016 e liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të festës së Marisë, Nënës së Zotit, që Kisha katolike kremton në ditën parë të Vitit të Ri............

            Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi parë (Nr 6,22-27)

Lexim prej Librit të Numrave

Zoti foli me Moisiun e tha: “Thuaju Aronit dhe bijve të tij: Kështu bekoni bijtë e Izraelit e thuani: Zoti të bekoftë e të ruajt! Të ndriçoftë Zoti me fytyrën e vet, e pastë mëshirë për ty! E sjelltë Zoti fytyrën e vet drejt teje e ta dhashtë paqen! Kështu ata le ta vënë emrin tim mbi bijtë e Izraelit e unë do t’i bekoj.”  Fjala e Zotit!

Psalmi 67

Ref: Zoti na bekon me dritën e fytyrës së vet

————————————————————

Hyji pastë mëshirë për ne e na bekoftë,

bëftë të ndriçojë fytyra e tij mbi ne,

që në tokë të njihet udha e tij,

në të gjitha kombet shpëtimi i tij.

————————————————————-

Le të galdojnë e le të brohorisin popujt,

sepse popujt i gjykon me drejtësi,

sepse kombet mbi tokë ti i sundon.

————————————————————–

Të dhënçin lavdi mbarë popujt, o Hyj,

mbarë popujt e botës ty të lavdërofshin!

Na bekoftë Hyji!

Frikë e paçin mbarë skajet e botës!

————————————————————-

Leximi dytë (Gal 4,4-7)

Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Galatasve

Vëllezër, kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej gruaje, të nënshtruar ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e ligjit, që na ta fitonim bijësinë në shpirt. E, prejse vërtet jeni bij, Hyji e dërgoi në zemrat tona Shpirtin e Birit të vet, i cili gërthet: Abba – o Atë! Këndej, më nuk je skllav, por bir; e, mbasi je bir, atëherë, për vullnet të Hyjit, je edhe trashëgimtar. Fjala e Zotit

Ungjilli Lk 2,16-21

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Atëherë barinjtë shkuan me nxitim dhe gjetën Marinë, Jozefin, e foshnjën të vënë në grazhd. Kur e panë, u treguan ç’u tha engjëlli për foshnjën. Të gjithë ata që i dëgjuan, u mrekulluan nga ato që thanë barinjtë. Maria i mbante mend me kujdes të gjitha këto ngjarje dhe i shoshiste në zemrën e vet. Barinjtë mandej u kthyen duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë, pikërisht ashtu siç u tha engjëlli. Kur u mbushën tetë ditë për të rrethprerë foshnjën, ia ngjitën emrin Jezus, sikurse e quajti engjëlli para se të zihej në kraharor të s’ëmës. Fjala e Zotit!

 








All the contents on this site are copyrighted ©.