2016-12-30 18:59:00

Mesazh i Sekretarit të Shtetit të Vatikanit, drejtuar shoqatës “Bamirësi politike, për një diplomaci vlerash”


Për të kremtuar njëzet vjet shërbimi, si pikë ndërkombëtare referimi për dialog e pajtim, shoqata Misionarë të bamirësisë politike, po përshkon rrugë të reja formimi të përhershëm për trupin diplomatik të akredituar pranë Selisë së Shenjtë. Nismë, kjo, që synon zgjerojë rrezen e veprimit të drejtësisë e të dashurisë shoqërore brenda çdo kombi, e edhe në marrëdhëniet e kombeve ndërmjet tyre, siç e shpjegon sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, në një mesazh, me rastin e këtij përvjetori. Hirësia e tij uron sidomos, të thellohet kultura e takimit, që Papa Françesku e kujtoi qysh në fillim të papnisë, duke vijuar ta nxisë mbarë botën të ecë në këtë rrugë.

“Një intuitë pozitive e shoqatës - shkruan kardinali Parolin – ishte, pa dyshim, krijimi i Shtëpisë së bamirësisë politike, që ka për  detyrë t’i lidhë ambasadorët e akredituar pranë Selisë së Shenjtë, duke nxitur  bashkëpunimin ndërmjet tyre e duke organizuar takime për thellimin e  tematikave me karakter ndërkombëtar. Sipas Sekretarit të Shtetit të Vatikanit “ideja  për t’i vënë ballë për ballë ambasadorët dhe krerët e dikastereve të Selisë së Shenjtë, ishte shumë e nevojshme, e dhe e suksesshme: mbi këtë terren pjellor u formua e po zhvillohet Instituti i lartë politik, i krijuar në prehërin e shoqatës. Pikërisht në këtë perspektivë, Instituti u angazhua të zhvillojë një kurs  kushtuar diplomacisë së vlerave, që ofron rrugë formimi për funksionarët e ambasadave pranë Selisë së Shenjtë.

Rasti për të  ruajtur atë, që u mboll deri tani, por edhe për të programuar hapat e ardhshme, ishte kuvëndimi i përqendruar pikërisht mbi “fetë dhe diplomacitë”. Me objektivin e deklaruar - vëren kardinali Parolin në mesazh - për të kontribuar në një reflektim, i cili është në gjendje ta rrafshojë hendekun që krijohet shpesh ndërmjet kontributeve të natyrës teorike dhe realitetit të fakteve, në zbatimin e tyre. Pastaj - vëren akoma kardinali Parolin - prej kohe shoqëritë perëndimore shikojnë tek fetë një burim me ndikim të fuqishëm mbi ekuilibrin gjeopolik e, njëkohësisht, edhe një udhë të detyrueshme për çdo lloj politike, që  ka si objektiv paqen ndërmjet popujve.

Në kuvëndim e mori fjalën edhe kryeipeshkvi Paul Richard Gallagher, sekretar i Vatikanit për marrëdhëniet me shtetet, për të kujtuar se diplomacia papnore e ka zanafillën në përmasën transhendente të njeriut e edhe vihet në shërbim të tij. Pikërisht për këtë Selia e Shenjtë nuk do të pushojë kurrë s’u angazhuari, me autoritetin e saj juridik e moral, derisa  vendet e krishtera dhe njerëzit vullnetmirë, të mund të kontribuojnë në përparimin e përbashkët.

Për shoqatën, kuvëndimi ishte edhe një mundësi për të analizuar kontradiktat me karakter shoqëroro-ekonomik, kërcënimet  e dhunës e të terrorizmit, mungesën  e strukturave publike, përpjekjet e lodhshme për të ndërtuar Evropën, rreziqet që e kërcënojnë paqen ndërkombëtare dhe dramën e urisë në botë, të cilat e minojnë idealin e një shoqërie të pajtuar. E nga ballafaqimi, lind nevoja e etikës së bamirësisë dhe e kulturës së dialogut, përmes mëshirës, siç e propozoi Papa me Jubileun e jashtëzakonshëm.

Në  përfundim të mesazhit të tij, sekretari i Shtetit të Vatikanit kujton edhe se “në këto vite të veprimtarisë, shoqata diti të ndërtojë, me durim e largpamësi, një rrjet të gjerë e të fortë lidhjesh, në të cilat aspekti institucional e formal ndikon me urti mbi klimën e miqësisë e të besimit, themelore për dialogun e dobishëm e pa pengesa, sot i nevojshëm dhe i detyrueshëm për të krijuar marrëdhëniet e paqes e të bashkëpunimit të vërtetë ndërmjet popujve e kulturave.








All the contents on this site are copyrighted ©.