2016-12-30 11:11:00

Kisha kremton festën e Familjes Shenjte, model për të gjitha familjet.


Familja e Virgjërës Mari, e Shën Jozefit dhe e Krishtit Fëmijë, që njihet si Familja Shenjte e Nazaretit, është model i virtyteve njerëzore e të mbinatyrshme për të gjitha familjet e krishtera. Duke hyrë në misterin e kësaj familjeje kaq të veçantë, mund të fitojmë vlera e të marrim mësime që sot, më shumë se kurrë, janë të domosdoshme për t'i siguruar shoqërisë njerëzore themele të shëndosha: mësimet e paqes, të pajtimit e të dashurisë.

Sa do të dëshironim që paqja, pajtimi e dashuria e Shtëpisë së Nazaretit të mos i mungonin asnjërës prej familjeve të sotme. T’i lutemi, prandaj Zotit, që të gjithë prindërit e krishterë të jenë të vetëdijshëm e të ndërgjegjshëm për detyrën dhe misionin e tyre të pazëvendësueshme e tejet të rëndësishëm si ndaj fëmijëve, ashtu edhe ndaj shoqërisë, sepse nga ata pritet një dëshmi e vërtetë dhe e fuqishme ungjillore.

Sot familja e krishterë është e thirrur të japë shembullin e saj bindës, lidhur me mundësinë e një martese të jetuar plotësisht në përkim me planin e Zotit dhe me kërkesat e vërteta të njeriut: kujdesin e bashkëshortëve për njëri-tjetrin e sidomos për fëmijët. Familja e bashkuar, që ndjek këto parime, i kapërcen më lehtësisht provat e vështirësitë që ndesh në rrugën e saj e i ngjan Familjes Shenjte të Nazaretit.

Kisha i lutët Zotit duke kërkuar mbrojtjen e shën Marisë e të shën Jozefit për çdo familje, veçanërisht për ato që janë në vështirësi. I ndihmofshin familjet, që të dinë t’u qëndrojnë shtysave shkatërruese të një lloj kulture bashkëkohore, që minon bazat e vetë institucionit familjar. I ndihmofshin familjet e krishtera të jenë, në çdo anë të botës, pasqyrë e shembull i gjallë i dashurisë së Zotit e solidaritetit ndërnjerëzor.








All the contents on this site are copyrighted ©.