2016-12-30 11:43:00

Familjet, që luten së bashku, janë të forta


Familja e Shenjtë e Nazaretit, që kremtojmë është shkollë jete, feje, harmonie e dashurie. Kështu, familjet, që luten së bashku, janë të forta e çojnë tek të gjithë gëzimin, që vjen nga Zoti. Familja që e jeton gëzimin e fesë e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë. Në këtë festë kundrojmë imazhin dhe shembullin e Familjes Shenjte të Jezusit, Jozefit e Marisë. Leximet biblike të kësaj feste na ofrojnë elementet për të nënvizuar tri karakteristika themelore të familjes: lutjen, fenë, gëzimin.

Familje, që luten: Ungjilli na tregon dy mënyra për t’u lutur, njëra e rreme, ajo e fariseut që e di veten për të drejtë dhe tjetra, shumë më e vërtetë, ajo e publikanit të vetëdijshëm për mëkatet e veta.

Në dritën e kësaj Fjale, duam pyesim, të dashura familje: a lutemi ndonjëherë në familje? Ndokush po, e dimë. Por shumë thonë: e si bëhet kjo? Bëhet, siç bëri publikani, është e qartë: me përvujtëri, para Zotit. Secili, me përvujtëri, e lë veten ta shohë Zoti e i lutet të jetë i mirë me të, të vijë tek ne. Por, në familje, si i bëhet? Sepse duket sikur lutja është diçka personale e, pastaj, nuk gjejmë kurrë çastin e përshtatshëm, qetësinë, në familje… Po, është e vërtetë, por është edhe çështje përvujtërie, ta kuptojmë se kemi nevojë për Zotin, ashtu si publikani! Të gjitha familjet kanë nevojë për Hyjin: të gjitha, të gjitha! Kemi nevojë për ndihmën e Tij, për forcën e Tij, për bekimin e Tij, për mëshirën e Tij, për faljen e Tij. E na duhet thjeshtësia: për t’u lutur në familje, duhet thjeshtësi! Të lusim së bashku “Atynën”, rreth tryezës, nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme: është e lehtë. E të themi së bashku Rruzaren, në familje, është gjë shumë e bukur, na jep shumë forcë! E të lutemi edhe njëri për tjetrin: burri për gruan, gruaja për burrin, të dy bashkë për bijtë, bijtë për prindërit, për gjyshërit… Të lutemi njëri për tjetrin. Kjo është lutja në familje, e kjo e bën të fortë familjen: lutja.

Familja ruan fenë, siç pohon Leximi dytë i liturgjisë së sotme, që propozon shembullin e Shën Palit Apostull, i cili në perëndim të jetës, thotë për vetveten: “E kam ruajtur fenë”. Por, ai nuk e ka ruajtur në ndonjë kasafortë e as nën tokë. Jeta e tij qe betejë e garë. Shën Pali, jo vetëm e mbrojti fenë, por edhe e dhuroi atë, prandaj vendimet e tij ishin të guximshme, shkoi në territore armiqësore, lejoi ta provokonin njerëz të largët, me kultura të ndryshme, foli me sinqeritet e pa frikë. Edhe këtu, mund të pyesim: si e ruajmë ne vetë fenë? E mbajmë për vete, brenda familjes, si pronë private, apo dimë ta ndajmë me të tjerët me anë të dëshmisë, mikpritjes, duke ua hapur zemrën të tjerëve? Familjet e krishtera janë familje misionare… Janë misionare edhe në jetën e përditshme, duke bërë gjëra të zakonshme, por duke hedhur në gjithçka kripën dhe tharmin e fesë! Ta ruash fenë në familje, do të thotë të hedhësh kripën e tharmin e fesë në gjërat e përditshme.

Familja e jeton gëzimin – është karakteristika e tretë e familjes. Gjithë e dimë, se gëzimi i vërtetë nuk është sa për sy e faqe, nuk vjen nga sendet, që zotërojmë. Eh… do të na pëlqente të bëjmë një pyetje sot. E secili ta mbajë në zemër, ta çojë në shtëpi, si të ishte detyrë shtëpie, detyrë e të gjithëve. E përgjigjen, secili ta gjejë vetë. Sa gëzim ka shtëpia ime, shtëpia jote? Sa gëzim ka familja ime, familja jote? T’i japim vetes këtë përgjigje.
Gëzimi i vërtetë, mos të harrojmë, vjen nga harmonia e thellë ndërmjet njerëzve, që të gjithë e ndjejnë në zemër, që na bën ta jetojmë bukurinë e të qenit bashkë, të mbështetjes tek njëri-tjetri në udhën e jetës.
Në bazën e kësaj ndjenje gëzimi të thellë është prania e Zotit në familje, është dashuria e Tij mikpritëse, e mëshirshme, që respekton të gjithë. E sidomos, është një dashuri plot durim: durimi është virtyt i Hyjit e na mëson ta duam me durim njëri-tjetrin, në familje. Të kemi durim për njëri-tjetrin.
Familja, që e jeton gëzimin e fesë, e komunikon atë spontanisht, është kripa e tokës dhe drita e botës, është tharmi i shoqërisë. Në mbyllje të kremtimit të sotëm, të lutemi para fugurës së Familjes Shenjte, duke i kërkuar të na e bëjë të dukshme veprën e Provanisë Hyjnore në jetën tonë të përditshme, t’i shndërrojë familjet në kisha shtëpiake, duke ua shtuar dëshirën e impenjimin për shenjtërimin e jetës.
O Familje Shenjte e Nazaretit,
ringjalle në shoqërinë tonë, vetëdijen
për karakterin e shenjtë e të padhunueshëm të familjes,
pasuri e paçmuar dhe e pazëvendësueshme.
Çdo familje të jetë banesë mikpritëse e mirësisë dhe e paqes.

               Liturgjia e Fjalës së Zotit

Leximi i parë 1 Sam 1, 20-22.24-28
Ana, shumë vite pa fëmijë, është e ndërgjegjshme se Samueli iu dhurua nga Zoti si përgjigje e lutjes së saj. Për këtë së bashku me burrin shkon për të kushtuar të birin në shërbim të tempullit. Çdo fëmijë është një dhuratë e Hyjit.

Lexim prej Librit të parë të Samuelit

Brenda vitit, Ana mbeti shtatzënë e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë.” Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu.
Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit.” Dhe adhuruan Zotin. Kështu brenda vitit Ana mbeti shtatzëne e lindi një djalë dhe ia ngjiti emrin Samuel, sepse ia kishte lypur me uratë Zotit. Elkana me mbarë familjen e vet shkoi për t'i kushtuar Zotit flinë vjetore dhe për ta kryer kushtin e vet. Ana nuk shkoi. Ajo i tha burrit të vet: “Unë nuk do të vij derisa të vijë koha ta ndaj djalin prej gjiri. Atëherë do ta paraqes te Zoti dhe do ta lë aty përgjithmonë”.
Pasi e ndau nga gjiri, mori me vete djalin, një mëzat tre vjetësh, dy koshiqe miell e një rrëshiq me verë dhe e çoi djalin në Silo në Shtëpinë e Zotit. Fëmija ishte ende shumë i njomë. E flijuan mëzatin dhe djalin e paraqitën te Heliu. Atëherë Ana i tha: “Më dëgjo, imzot. Pasha jetën tënde, unë jam ajo gruaja që pati qëndruar këtu pranë teje duke iu lutur Zotit. U luta për këtë fëmijë dhe Zoti ma plotësoi uratën time për çka iu luta. Prandaj edhe unë po e jap në shërbim të Zotit; për sa të jetë gjallë, i dhurohet Zotit”. Dhe adhuruan Zotin. Fjala e Zotit.

Psalmi 84
Jetë dhe bekim mbi shtëpinë që e druan Zotin

----------
Lum njeriu që e druan Zotin,
që ecën udhëve të tija!
Do të ushqehesh prej punës së duarve të tua, i lumi ti, mirë do të kalosh.
----------
Gruaja jote: vresht plot fruta
në dhomat e shtëpisë sate;
djemtë e tu: pinjoj ulliri
përreth tryezës sate!
----------
Ja, se si bekohet njeriu
që e druan Zotin!
Të bekoftë Zoti prej Sionit,
e pafsh lumturinë e Jeruzalemit
në të gjitha ditët e jetës sate.
----------

Leximi i dytë 1 Gjon 3, 1-2. 21-24
Përtej familjes së shenjtë të formuar nga Jezusi, Jozefi dhe Maria është një familje më e madhe hyjnore: Hyji është Ati, Biri është i parëlinduri i një shumice vëllezërish që Shpirti Shenjt i bashkon në besim dhe mirësi.

Lexim prej Letrës së parë të Gjonit

Shikoni ç’dashuri të madhe na dhuroi Ati sa që quhemi bijtë e Hyjit edhe jemi! Bota nuk na njeh sepse nuk e njeh Atë. Të dashur, tani jemi fëmijët e Hyjit, por çka do të jemi ende nuk u zbulua. Kaq dimë: kur të shfaqet do të bëhemi të ngjashëm me Të, sepse do ta shohim ashtu siç është.
Fort të dashur! Nëse zemra nuk na padit, mund të shkojmë me guxim te Hyji dhe çkado që kërkojmë, prej Tij e marrim, sepse i mbajmë urdhërimet e Tija dhe bëjmë çka Atij i pëlqen. Ky është urdhri i Tij: që të besojmë në Emrin e Birit të Tij – në Jezu Krishtin dhe ta duam njëri-tjetrin, si Ai na urdhëroi. Kush i mban urdhërimet e Tija, mbetet në Hyjin dhe Hyji në të. Me këtë e dimë se Ai mbetet në ne: me anë të Shpirtit që na e ka dhënë.  Fjala e Zotit.

† Ungjilli Lk 2, 41-52
Mes dijetarësh të tempullit shfaqet për herë të parë “misteri i Jezusit”. Maria, e ëma, është e tronditur nga humbja e Jezusit dhe mbetet e mahnitur nga përgjigjja e Jezusit. Rrugët e Hyjit nuk janë tonat dhe ndonjëherë na habitin. Jezusi kthehet në Nazaret dhe për 18 vjet jeton nën kujdesin e prindërve.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Prindërit e Jezusit për çdo vit shkonin në Jerusalem për të kremten e Pashkëve. Kur Jezusi i mbushi të dymbëdhjetat, u ngjitën sipas dokes së festës. Si kaluan ato ditë, ata u kthyen, kurse Jezusi ende fëmijë, u ndal në Jerusalem pa dijen e prindërve të vet. Duke qenë të bindur se është me turmën, ecën ashtu një ditë rrugë e atëherë zunë ta kërkojnë ndër kushërinj e të njohur. Pasi nuk e gjetën, u kthyen në Jerusalem për ta kërkuar.
Pas tri ditësh e gjetën në Tempull mes dijetarësh duke i dëgjuar ata dhe duke u bërë pyetje. Të gjithë ata që e dëgjonin, i mrekullonte dija dhe përgjigjet e tija. Kur e panë, u çuditën dhe e ëma i tha: “Ç’na bëre kështu, o bir? Ja, yt atë dhe unë të kërkuam plot pikëllim!” Ai u përgjigji: “Po, pse më kërkuat? A nuk e dinit se më duhet të merrem me punët e Atit tim?” Por ata nuk kuptuan çka deshi t’u thotë.
Atëherë Jezusi u kthye me ta, erdhi në Nazaret dhe i dëgjonte. E ëma i ruante me kujdes në zemër të gjitha këto ngjarje. Ndërkaq Jezusi përparonte në dije, në moshë e në hir para Hyjit e para njerëzve. Fjala e Zotit.

 








All the contents on this site are copyrighted ©.